Zbresin çmimet e inputeve bujqësore
Prishtinë, 23 gusht - Çmimet e inputeve bujqësore kanë vazhduar të pësjnë rënie edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, që shënon një trend rënie për një periudhë gati dyvjeqare.
Enti i Statistikave ka bërë publikimin e raporti Indeksi I çmimeve të inputeve në bujqësi 2010 që flet për një rënie të çmimeve në masën 9 për qind.
Publikimi përfshin të dhëna për periudhën Prill Qershor 2010. Publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë.
Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, barnatoret veterinare, në kompani , tregje dhe vende tjera ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit nga ESK.
Produktet të cilat e përbëjnë bazën për Indeksin e çmimit të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (input 1) dhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (input 2).
Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime tjera.
Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje tjera), ndërtesat (ndërtesat të fermës, punët tjera përveç përmirësimit të tokës, ndërtesat e tjera, struktura e tyre) dhe të tjera.
Raporti tregon se indeksi i tremujorit të dytë të inputeve në vitin 2010 është zvogëluar për -9.4% për mallrat qw konsumohen nw bujqwsi, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2009. Indeksi për input 2 ndwrkaq është zvogëluar për -4.7% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2009. Indeksi i inputeve nw përgjithësi gjithashtu është zvogëluar për -9.0% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2009.
Çmimet dhe indekset e çmimeve në këtë publikim janë kalkuluar sipas standardeve për statistikat e çmimeve të Bashkimit Evropian. Projekti për kalkulimin e këtyre çmimeve dhe indekseve të çmimeve është realizuar brenda projektit për Përmirësimin e statistikave agromonetare në bashkëpunim me Statistikat Suedeze dhe me mbështetjen financiare nga SIDA (Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar).
Çmimet janë grumbulluar në shtatë regjione: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. Çmimet janë grumbulluar çdo muaj rreth datës 15. Që nga fillimi numri i artikujve për të cilët janë grumbulluar çmimet është rritur hap pas hapi.
Qëllimi i Indeksit të çmimit të inputeve bujqësore është përcjellja e çmimeve të blerjes të mjeteve për prodhim bujqësor. Sipas definicionit, indeksi nuk i mbulon faktorët e prodhimit. Rrjedhimisht, rrogat dhe kostoja e rrogave, qiraja, pagesa e kamatës, blerja e tokës dhe kafshët si asete fikse nuk janë pjesë e fushë-vëzhgimit.