Xërxa bëhet edhe me një pikë të re grumbulluese për pemë e perime
Prishtinë, 25 prill - Fshati Xërxë i komunës së Rahovecit u bë edhe me një pikë të re grumbulluese për fruta dhe perime. Kapacitetet e kësaj pike në ruajtje arrin deri në 300 ton dhe në të do të grumbullohet një sasi e konsiderueshme e prodhimtarisë bujqësore të komunës së Rahovecit, Suharekës, Mamushës dhe Prizrenit.
Qendra të mëdha për grumbullim, klasifikim, ruajtje dhe shitje të produkteve bujqësore do të ndërtohen edhe me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë, tha ministri Stavileci, i cili tha se këto qendra janë shumë të nevojshme për zgjatjen e jetës së prodhimtarisë bujqësore dhe për krijimin e mundësive për furnizimin e tregut me produkte bujqësore edhe gjatë muajve të fundit të vitit.
Gjatë këtij viti kemi përfshirë edhe programe tjera të reja që nuk kanë qenë më parë në përkrahje të fermerëve. Në mesin e tyre vlen të përmendet edhe programi i qendrave të grumbullimit, të cilat siç e dini kanë qenë problem në të kaluarën, sepse gjithmonë në periudhat jashtë-sezonale fermerët tanë kanë qenë të detyruar ti shesin produktet e tyre gjatë pikut sezonal, pavarësisht çmimeve, për arsye se nuk kanë pasur se ku ti ruajnë, deklaroi Stavileci.
Ai tha se në vitin e kaluar nga programet e ministrisë kanë përfituar gjithsej 1620 fermerë të komunës së Rahovecit, ndërsa së bashku me komunat afër, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë përfituar 3673 fermerë.
Në këtë periudhë, ne kemi realizuar edhe shtatë projekte të investimeve kapitale për rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes në këtë pjesë dhe nën sistem të ujitjes kemi përfshirë edhe rreth 2500 hektarë tokë bujqësore, potencoi Stavileci.
Christof Stock nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se kjo qendër me pajisjet dhe kapacitetet e veta mundëson që produktet mos të shiten gjatë sezonit kryesor, por nëpërmjet frigoriferëve të mundësohet ruajtja e tyre për tu shitur në një moment më të favorshëm.
Pajisjet që janë siguruar nëpërmjet këtij projekti do të mundësojnë që të bëhet paketimi në mënyrë më të avancuar, që produktet të cilat do të plasohen si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në eksport, të kenë qëndrueshmëri më të madhe, tha Stock.
Ai tha se aspekt shumë i rëndësishëm është edhe punësimi i drejtpërdrejtë që gjeneron ky projekt.
Ndërsa, në anën tjetër, menaxheri i projektit Fehim Krasniqi, tha se ky projekt është inicuar nga komuna e Rahovecit me partnerët e saj, shoqatën Anadrini dhe SHL Kosova dhe se do të ndikoj në rritjen e tregtimit të produkteve bujqësore në këtë rajon.
Projekti është aprovuar nga skema e zhvillimit ekonomik të EU-së dhe zbatimi i tij është bërë në disa faza, siç janë përgatitja dhe informimi i fermerëve për qendrën grumbulluese dhe për mundësitë e tyre për shfrytëzimin e këtyre kapaciteteve për tregtimin e produkteve të hortikulturës, deklaroi Krasniqi.
Projekti ka kushtuar gjithsej 339.000 euro dhe numri i punëtorëve në këtë pikë grumbulluese do të arrijë deri ne 40 gjatë sezonit të prodhimtarisë bujqësore.