Vipa Pestova fiton çmimi për Modelin e Menaxhimit të Kualitetit
Prishtinë, 3 maj - Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës Safet Geerxhaliu ka thënë se përkundër vështirësive me të cilat ballafaqohet sektori privat në Kosovë e në veçanti ai i prodhimit, ky vit do të karakterizohet me disa kontradikta të pazakonshme që mund të ndodhin vetëm në Kosovë.
Ato sipas tij janë raporte negative mbi tokën e helmuar të Kosovës që është një frazë negative e atyre që nuk ia dëshirojnë të mirën e Kosovës dhe në anën tjetër sukseset dhe vetëmohimin e paparë të sektorit privat.
"Çmimi për Modelin e Menaxhimit të Kualitetit në nivel global që ka fituar VIPA-Pestova është përgjigja më e mirë e të gjitha këtyre spekulimeve dhe njëherit dua të besoj se suksesi i kësaj kompanie do të jetë provokim pozitiv për institucione vendore dhe ndërkombëtare që sektori privat dhe prodhues në Kosovë të jetë target i mbështetjes edhe në të ardhmen qe të shërbejë si udhërrëfyes për të tjerët se si mund të zbërthehet prodhimi i një kulture, si mund të avancohet kualiteti, rendimenti dhe imazhi i Kosovës dhe te kalohen përmasat rajonale dhe në konkurrencën e 117 ndërmarrjeve konkurruese nga mbarë bota të jeni fitues çmimi i artë i International Arch of Europe (IAE), theksoi Gërxhaliu me rastin e pritjes së pronarit të kompanisë VIPA-Pestova pas pranimit të këtij çmimi në Frankfurt të Gjermanisë.
Bedri Kosumi e falënderoi Gërxhaliu për mbështetjen institucionale nga OEK-u dhe institucioneve të tjera në vend duke theksuar se ky çmim i një rëndësie të veçantë që fitoi VIPA-Pestova është meritë e një angazhimi të stafit të kompanisë, meritë e mbështetjes institucionale e në veçanti të MBPZHR dhe donatorëve të ndryshëm si USAID, Komisioni Evropian, Qeveria Holandeze dhe shumë të tjerë dhe e tëra kjo neve na obligon që të punojmë edhe më tepër dhe me punën e përkushtimin tonë të dëshmojmë e te arrijmë rezultate edhe më të mëdha jo vetëm ne si kompani por edhe sektori prodhues në përgjithësi. Prandaj, jam i mendimit se ky çmim është çmim dhe fitore e Kosovës dhe demantim i zërave të këqij për dëmtimin e imazhit të Kosovës.
Çmimi i fituar në këtë konkurrencë ka të bëjë me B.I.D. World Congress nga takimet e dymbëdhjetë muajve të fundit të mbajtura në Paris, Gjenevë, Madrid, Londër, Frankfurt dhe New York ka grumbulluar rreth 117 ndërmarrje. Përgjatë kësaj kohe, përfaqësuesit e ndërmarrjeve kanë parashtruar propozimet e tyre për shpërblimin e International Arch of Europe (IAE) i cili u prezantua në Frankfurt të Gjermanisë më datën 30 prill 2012.
Në bazë të rregullores së IAE dhe kritereve të QC100 (Total Quaility Management Model), VIPA-Pestova është shpërblyer nga IAE në kategorinë e Artë në Frankfurt.
Ndërmarrjet e përzgjedhura janë liderë nga fushat të cilat operojnë dhe në vendet nga të cilat vijnë apo korporatat e mëdha të cilat demonstrojnë përformancë të shkëlqyer në vendet e tyre duke ndikuar në rritje ekonomike dhe punësim, përmirësim të rezultateve si dhe qëndrueshmëri zhvillimore.
Ne si Odë Ekonomike e Kosovës jemi krenar që në gjirin e anëtarëve tonë kemi edhe kompaninë siç është edhe VIPA-Pestova e cila është shëndrruar në një emblemë të ndërmarrësisë kosovare në një brend reputativ Made in Kosova dhe jam më së i bindur se rezultate dhe mirënjohje të tilla të arta do ti mirëpresim nga kjo kompani edhe në të ardhmen sepse një kompani që ka vizion, strategji për ta arritur këtë vizion dhe menaxhim modern dëshmon se do ta përcjellin sukseset edhe në të ardhmen përfundoi Gërxhaliu duke përgëzuar pronarin e kompanisë për suksesin e arritur.