Vezët në tregun e Kosovës me kode unike të prodhuesve
Prishtinë, 2 maj - Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës njofton të gjithë fermerët prodhues të vezëve dhe qytetarët si konsumatorë se duke filluar nga data 5 maj në tregun e brendshëm, do të lejohen të qarkullojnë për konsum vetëm vezët të cilat janë të shënuara sipas kodeve të regjistrimit për prodhimet vendor me shifrën RKS-001 e tutje, ndërsa vezët e importit do të kenë të shënuara kodet e fermave të vendosura nga autoritete e tyre në vendin e origjinës.
Vezët të cilat nuk janë të markuara e të cilat hasen në treg pas kësaj, do të konfiskohen dhe asgjësohen nga ana e inspektoratit.
Sipas legjislacionit në fuqi bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 17/2008, Për përcaktimin e cilësisë së vezëve. Të gjithë prodhuesit dhe paketuesit janë të obliguar të bëjnë shënjëzimin e vezëve, sipas numrit unikë të regjistrimit të prodhuesit.
Deri me datë 20.04.2016 është bërë regjistrimi i të gjithë atyre që kanë aplikuar pranë AUV-së. Andaj ne ftojmë ata të cilët ende nuk e kanë bërë aplikim dhe nuk janë pajisur me kodin unik të prodhuesve të vezëve, ta bëjnë sa me shpejtë në të kundërtën nuk mund të nxjerrin ne treg produktet e tyre.
Konsumatorë të nderuar të Republikës se Kosovës, pas datës 05.05.2016, mos bleni vezë të cilat nuk janë të shënjuara me kode. Kodi i tyre dëshmon origjinën e vezës. Ne si autoritet me trupat tona inspektuese do të jemi në teren, për të larguar nga tregu vezët të cilat nuk janë të shënjëzuara. Bashkëpunimi ynë me konsumatorë dhe prodhues kontribuon në ruajtje të shëndetit të përgjithshëm publik.