Verërat kosovare, pushtojnë tregun evropian
Prishtinë, 19 mars Verërat kosovare, viteve të fundit kanë zënë vend në tregjet rajonale dhe evropiane. Shtimi i prodhimtarisë në këtë sektor, ka bërë që të rritet eksporti drejt këtyre tregjeve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në gjashtë vitet e fundit, Kosova ka arritur të eksportojë rreth 29 milionë litra verë në 24 shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës. E në bazë të këtyre të dhënave, del se prodhimi i verërave ka shënuar rritje viteve të fundit, ku vetëm gjatë vitit të kaluar, verëtarët kosovarë kanë arritur të prodhojnë mbi 5 milionë litra verë. Duke parë rëndësinë e këtij sektori dhe konkurrueshmërinë e verërave kosovare në tregjet e huaja, Ministria e Bujqësisë sivjet e ka rritur përkrahjen financiare për prodhuesit e këtij sektori.
Zëdhënësi i MBPZhR-së, Adil Behramaj, thotë se përmes kësaj mbështetje, synojnë shtimin e sipërfaqeve me vreshta të reja me rrush tryeze, përmirësimin e strukturës varietore dhe modernizimin e sistemeve mbështetëse për këto vreshta, duke ndikuar kështu edhe në stimulimin e eksportit drejt tregjeve të huaja.
Kosova ka kushte agroklimatike shumë të përshtatshme për zhvillimin e vreshtarisë dhe verëtarisë. Stoqet e verës, si rezultat i rritjes së eksportit në dy vitet e fundit kanë rënë për 4.3 milionë litra dhe ne tani me investimet tona jemi fokusuar në ngritjen e vreshtave të reja të rrushit të tryezës dhe në rritjen e qëndrueshmërisë në prodhimtarinë e vreshtave ekzistuese, të cilat sivjet do të subvencionohen me nga 200 euro për një hektarë.
Gjithashtu, në masë të madhe jemi të fokusuar edhe në modernizimin e infrastrukturës në mënyrë që të përmirësojë efikasitetin dhe vlera e përgjithshme e përkrahjes së planifikuar arrin në 1.1 milionë euro, ku 600 mijë do të jenë subvencione, 200 mijë grante investive dhe 300 mijë të tjera janë planifikuar për subvencionimin e stoqeve të verës, thotë zëdhënësi Behramaj.
I gjithë ky investim i ministrisë, sipas drejtorit të Shoqatës së Prodhuesve të Verës Enologjia, Ismet Haxhimurati, do të ndikojë pozitivisht në shtimin e rendimentit të rrushit dhe në përmirësimin e cilësisë së prodhimeve kosovare.
Subvencionet dhe grantet investive, të cilat sivjet do të ndahen për këtë sektor nga Ministria e Bujqësisë, do të jenë një ndihmesë shumë e madhe për zhvillimin e këtij sektori, i cili deri më tani nuk e ka pasur asnjëherë këtë përkrahje nga asnjë institucion. E përveç shtimit të rendimentit, kjo përkrahje do të ndikojë dukshëm edhe në rritjen e eksportit të verës në tregjet e huaja, thotë drejtori Haxhimurati.
Ndryshe, gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, eksporti më i madh i verërave ka qenë në tregun e Gjermanisë, Kroacisë, Maqedonisë, Sllovenisë dhe Serbisë.
Ndërsa, në gjithë territorin e Kosovës vlerësohet se janë 4965 vreshtarë, të cilët e kultivojnë rrushin në një sipërfaqe prej 3217.45 hektarë, ku varietetet për prodhimin e verës kultivohen në një sipërfaqe prej 2538 hektarë, rrushi i tryezës në një sipërfaqe prej 677 hektarë dhe rrushi për tharje në një sipërfaqe prej 2.45 hektarë.