Vendet e Ballkanit duhet të jenë një treg i hapur
Prishtinë, 12 nëntor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka marrë sot pjesë në takimin e nëntë të ministrave të bujqësisë të vendeve të Evropës Juglindore, në kuadër të Grupit Punues Drejtues për Zhvillim Rural Rajonal (SWG), që këtë vit u mbajt në Tiranë nën patronatin e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti.
Në fjalën e tij, ministri Krasniqi ka prezantuar zhvillimin dhe sfidat e bujqësisë në vend.
Ai tha se në Kosovë ka rritje të sipërfaqes së tokës së kultivuar me prodhime të ndryshme bujqësore dhe avancim të sektorit të blegtorisë.
Ministri theksoi se Qeveria e Kosovës e ka në prioritet bujqësinë dhe këtë vit ka ndarë 43 milionë euro për grante të cilat kanë ndikuar në rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik.
Ministri Krasniqi deklaroi ndërkaq se përkundër rritjes së eksportit ende bilanci tregtar i Kosovës mbetet negativ dhe po punohet që të ketë një barazi dhe konkurrencë më të drejtë në tregun vendor.
Në këtë kuptim, ai tha se vendet e rajonit mund të punojnë më shumë që të hapin tregun mes vete në mënyrë që prodhuesit dhe përpunuesit nga të gjitha vendet të përfitojnë më shumë, dhe që konsumatori të ketë më shumë prodhime.
Ai po ashtu theksoi se vendet e Ballkanit mund të mësojnë shumë nga njëra-tjetra dhe të bashkëpunojnë në zgjidhjen e problemeve që kanë në këtë sektor, duke shkëmbyer përvojat dhe ekspertizën.
Natyrisht që secili nga ne synojmë të kemi avantazhe e të kemi përfitime më shumë se tjetri. Por ka gjithmonë diçka që na bashkon dhe unë besoj se ne mund të ndihmojmë shumë njëri-tjetrin drejt zhvillimit të sektorit dhe që bashkërisht të gjejmë mundësi më të mëdha bashkëpunimi dhe depërtimi në tregun evropian. Ne duhet të krijojmë më shumë lehtësira për prodhuesit dhe përpunuesit tanë që ata të kenë raporte kontraktuale më të dobishme.\"
\"Një prej mundësive është që ky rajon të jetë një treg më i hapur. Secili nga ne ka një veçori në produkte të caktuara dhe padyshim këtu mund të gjejmë hapësirat e ndërveprimit dhe bashkëpunimit, tha ministri Krasniqi. SWG është një organizatë ndërkombëtare ndërqeveritare, e cila përbehet nga institucionet qeveritare përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural në vendet e Evropës Juglindore.