Vazhdon përkrahja për sektorin pyjor
Prishtinë, 27 shkurt - Edhe Kosova, ashtu si e gjithë bota e moderuar, çështjen e pyjeve dhe mjedisit është duke tentuar ta trajtojë me prioritet, pasi që rëndësia e këtyre sektorëve për vendin vlerësohet të jetë mjaft e madhe në shumë aspekte.
Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, në sesionin e parë të Forumit Debatues për Sektorin Pyjor, i cili është mbajtur sot në hotel Sharri në Prevallë, ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Komisionit Evropian, përfaqësues të organizatave donatore, si dhe zyrtarë të institucioneve vendore.
Ministri Stavileci, ka thënë se edhe përkundër shumë masave që kanë ndërmarrë si institucione, përkundër shumë zhvillimeve pozitive apo edhe përkundër që vetëm vitin e kaluar janë shqiptuar 5593 fletëparaqitje në gjykatë ndaj prerësve ilegalë të pyjeve, të gjitha këto zhvillime sipas tij vazhdojnë të mbesin ende nën hijen e kësaj dukurie negative, pra prerjeve ilegale.
Ky takim këtu, por edhe shumë takime të tjera të përbashkëta, në radhë të parë kanë trajtimin e sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohet sektori. Pra, objektivë kryesore edhe e Forumit të parë Debatues për Sektorin e Pyjor në Kosovë është shtjellimi i hollësishëm i çështjeve dhe i sfidave të zhvillimit të sektorit pyjorë në Kosovë, të cilat janë përtej institucioneve, strategjive dhe mandatit të tanishëm, tha ministri Stavileci.
Ai ka treguar se në sektorin e pylltarisë, i cili ofron edhe një mundësi të mirë punësimi, nuk ka munguar prezenca dhe përkrahja e donatorëve të huaj në Kosovë dhe falë kësaj përkrahje, sipas tij Agjencia Pyjore e Kosovës si institucion përgjegjës për menaxhimin e pyjeve dhe tokave pyjore ka realizuar një varg projektesh sipas prioriteteve të parapara edhe nga Strategjia e Pylltarisë 2010-2020.
Si projektet më të rëndësishme që janë realizuar viteve të fundit janë Inventarizimi Nacional i pyjeve i financuar nga Qeveria Norvegjeze, Projekti i Binjakëzimit për pylltari, Projekti për përkrahjen e pronarëve privat i financuar nga qeveria holandeze. Pastaj është edhe Projekti i FAOs për ndërtimin e një sistemi informativ pyjor dhe për investimet në Institutin Pyjor. Gjithashtu, edhe Projekti i SIDAs suedeze, i cili është projekti i parë, i cili ka bërë derdhjen e mjeteve monetare direkt në Agjencinë Pyjore të Kosovës.\"
\"Pastaj, nuk kanë munguar edhe investimet direkte nga buxheti ynë, ku mund të përmendim pyllëzimet vjeshtore që realizohen për çdo vit, mirëmbajtjen e pyllëzimeve të viteve paraprake, mbulimin e sipërfaqeve pyjore me plane menaxhuese dhe shumë e shumë investime të tjera, tha ministri Stavileci.
Ndryshe, sipas të dhënave të fundit nga Inventarizimi Nacional i Pyjeve del se Kosova ka 481 mijë hektarë me pyje, të cilat mbulojnë 44.7% të territorit dhe nëse shohim pronësinë, llogaritet se 62% e sipërfaqeve pyjore i përkasin sektorit publik, ndërsa 38% atij privat, derisa volumi i përgjithshëm i masës drusore konsiderohet të jetë 46.331 milionë m³ dhe rritja vjetore në nivel vendi është 1.55 milion m³, ndërkaq rritja vjetore për hektarë është 3.3 ha m³. Sipas po këtyre të dhënave, Kosova për një periudhë 10 vjeçare ka shtuar sipërfaqet pyjore për 20,200 hektarë ose rreth 5%.