Vazhdojnë prerjet ilegale të pyjeve
Prishtinë, 16 shtator - Të gjitha komunat e Kosovës po lejojnë që të ketë prerje ilegale të pyjeve dhe kjo po i dëmton pyjet në përgjithësi.
Kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, ka bërë me dije se sasia e masës drusore e prerë në mënyrë ilegale për periudhën janar-qershor 2014, mbështetur në të dhënat nga Autoritetet Pyjore Komunale rezulton të jetë 4,782.47 m3.
Autoritetet Pyjore Komunale për periudhën janar-qershor 2014 kanë ngritur gjithsej 2189 fletëparaqitje, prej tyre 1640 kundërvajtëse dhe 549 penale. Inspektorati Qendror i Pyjeve ka ngritur 100 fletëparaqitje kundërvajtëse dhe 7 penale. Masa drusore e konfiskuar për këtë 6 mujor është 676.66m 3 nga Autoritetet Pyjorë Komunale dhe 121.00m 3 nga Inspektorati Qendror i Pyjeve, ka thënë Zejnullahu, për gazetën Epoka e re.
Sipas tij, ekzistojnë dallime të mëdha ndërmjet komunave sa i përket funksionimit në fushën e pyjeve. Ka komuna që këtë çështje e kanë trajtuar më prioritet, ndërsa po ashtu ka edhe komuna, të cilat as nuk e dinë se sektori i pyjeve është kompetencë dhe përgjegjësi e tyre, ka thënë ai.
Edhe pse me plotësim-ndryshimin për Ligjin e Pyjeve, komunat janë të obliguara që të raportojnë tek Agjencia Pyjore e Kosovës për çdo aktivitet, të cilin e kryejnë në sektorin e pyjeve, sipas Zejnullahut, një gjë e tillë nuk është duke funksionuar ashtu siç duhet. Vërejtje kemi pothuajse në të gjitha komunat se raportimin nuk e bëjnë me kohë, ndërsa ka edhe shumë raste, kur përveçse nuk raportohet me kohë, raportimi është i përgjysmuar apo edhe gabim, ka theksuar ai.
Sipas tij, probleme në sektorin e pyjeve ka pothuajse në të gjithë Kosovën, përveç Dragashit dhe Junikut. Si komuna që e lëvizin peshoren negativisht janë Besiana, Mitrovica dhe Theranda, por jo me ndonjë dallim të theksuar me komunat tjera, ka deklaruar kryeshefi Zejnullahu.