Vaksinohen 22,350 gjedhe kundër sëmundjes se antraksit
Prishtinë, 12 tetor - Edhe këtë vit ka vazhduar me vaksinim kundër sëmundjes se antraksit. Antraksi (Anthrax) është sëmundje akute bakteriale, febrile e cila prek të gjitha kafshët përfshire edhe njeriun.
Kafshët dhe njerëzit të cilët preken nga ky bakter kryesisht kanë përfundim fatal. Shpërthimet e sëmundjes me Antraks kryesisht janë të lidhura me tokat të cilat kanë përmbajtje alkaline dhe gëlqerore, e të cilat shërbejnë si zona inkubatori për këto mikroorganizma.
Kafshët që kullosin në këto zona janë më të predispozuara që të marrin këta mikroorganizma dhe të infektohen.
Sa i përket sëmundjes së Antraksit, Kosova konsiderohet si zonë endemike. Në vitin 2011 kemi pasur një shpërthime të sëmundjes së Antraksit në regjionin e Prizrenit (Jugu i Kosovës).
Bazuar në të dhënat epidemiologjike të sëmundjes në vendin tonë, efektet dhe peshën e kësaj sëmundje, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në kuadër të planit nacional mbi kontrollin dhe preventivën e sëmundjeve infektive e parazitare, ka përfshi vaksinimin e të gjitha kafshëve kundër sëmundjes së antraksit përgjatë brezit kufitar të Kosovës.
Në vitin (2012) janë përfshirë 15 komuna ( Gjakova, Deçani, Gjilani, Istogu, Prizreni, Dragashi, Vitia, Pejë, Leposaviqi, Zubin Potoku, Kaçaniku, Shtërpca, Podujeva, Prishtina dhe Kamenica) që janë të kufizuara me shtetet fqinje: Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Malin e Zi. Fushata e vaksinimit është zhvilluar gjatë muajve Prill dhe Maj, ku gjithsejtë janë vaksinuar 22,350 krerë gjedhe.
Aksionin për vaksinim e kanë kryer praktikat veterinare private të kontraktuara nga AUV ndërsa përfitues të këtij projekti kanë qenë fermerët e përfshirë në vaksinim të cilët kanë qenë të liruar nga pagesat.
Njëherit AUV-i është në përcjellje të vazhdueshme të situatës në tërë territorin e vendit për shpërthime të mundshme, me çka edhe disponon rezerva të vaksinave dhe materiale tjera logjistike për të luftuar këtë sëmundje.
Të gjithë fermerët janë të detyruar për rastet e dyshimta të njoftojnë menjëherë veterinarinë më të afërt të zonës në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e sëmundjes.
Të gjitha këto aktivitete kryhen dhe janë në përgjegjësi të Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në kuadër të AUV-së.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes masave preventive është duke e ruajtur shëndetin dhe mirëqenies e kafshëve ne Republikën e Kosovës, përmes këtyre masave ruhet edhe shëndeti i përgjithshëm publik.