22 Dhjetor 2024

USAID-i ka përkrahur bujqësinë me mbi 40 milionë dollarë

Prishtinë, 23 mars - Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, zëvendësadministratorja e USAID-it për Evropë dhe Azi, Paige Alexander dhe drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, sot kanë vizituar kompaninë “Agrovizioni” në fshatin Llugaxhi të komunës së Lipjanit.

Agrovizioni është storie suksesi në agrobiznes, tha ministri Stavileci, i cili tregoj se kjo kompani, se bashku me dy partnerë të tjerë kanë privatizuar rreth 120 hektarë tokë bujqësore dhe tani të gjithë këtë tokë e kanë të mbjellë me kultura të ndryshme bujqësore.

“Gjatë këtyre viteve, ne kemi thelluar bashkëpunimin me USAID-in dhe rreth aktiviteteve në këtë sektor ne vazhdimisht jemi duke u koordinuar. Me iniciativa të reja të përkrahjes së fermerëve që nuk kanë qenë më parë, USAID-i mbetet një hap para donatorëve të tjerë.\"

\"Ne tani jemi duke punuar edhe në disa programe të tjera dhe shpresojmë shumë që nga viti në vit, këto mundësi që deri më tani i kemi hulumtuar dhe i kemi identifikuar si fusha të përbashkëta me të cilat mund ta zhvillojmë bujqësinë, do të marrin një përshpejtim edhe më të madh, sepse ne mund ta kemi një bujqësi të zhvilluar vetëm nëse atë e shndërrojmë në një biznes modern”, tha Stavileci.

Ai tregoi që kompania “Agrovizioni” ka përfituar rreth 54 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë në vitet 2010-2011.

Ndërsa, zëvendësadministratorja e USAID-it për Evropë dhe Azi, Paige Alexander, tha që USAID-i i ka ofruar sektorit të bujqësisë një përkrahje prej më shumë se 40 milionë dollarë deri më tash dhe ka organizuar vizita të ndryshme studimore për fermerë.

“Ndjehem mirë që investimet e USAID-it dhe bashkëpunimi me ministrinë është duke dhënë rezultate shumë të mira në Kosovë. Këtu tani kemi filluar edhe projektin e ri “Programi Mundësitë e Reja për Bujqësi”, i cili do t’i nxis fermerët drejt avancimit të standardit të cilësisë dhe kompletimit të tregut me prodhime cilësore. Vlera e këtij projekti është rreth 16 milionë dollarë”, deklaroi  zëvendësadministratorja Alexander.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Agrovizioni”, Rexhep Spahiu, tregoi që prej vitit 2008 ka filluar të mbjellë pemë dhe perime dhe që kësaj veprimtarie i ka hyrë me seriozitet të madh.

“Në fillim kemi startuar me 1.5 ha me mollë, ndërsa tani kemi 13 ha. Me përkrahjen e USAID-it do të rritemi këtë vit, do të mbjellim edhe dredhëz edhe dardhë. Ministria e Bujqësisë na ka përkrahur gjithherë me 50 për qind dhe u jemi shumë mirënjohës”, tha Spahiu, duke shtuar se produktet përpos që i shesin në tregun e brendshëm, kanë kërkesa edhe në tregun e Shqipërisë dhe tregjet tjera.

Ministri Stavileci e informoj zëvendësadministratoren edhe për projektet në të cilat është duke punuar tani Ministria e Bujqësisë, përkatësisht për projektin e programit për kredi bujqësore, projektin e ndërtimit të tre qendrave të mëdha për grumbullimin, ruajtjen dhe klasifikimin e produkteve bujqësore, projektin e shërbimeve këshillimore dhe atë për përmirësimin e shërbimeve në institutet profesionale, për masat që janë duke u ndërmarrë në ristrukturimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për masat e tjera për revitalizimin e sektorit të bujqësisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)