Universiteti Shtetëror i Iowas ofron përkrahje në bujqësi
Prishtinë, 21 shtator - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë vizitës zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të Universitetit Shtetëror të Iowas.
Gjatë takimit të Ministrit Faton Peci me Presidenten e Universitetit të Shtetit të Iowas, Wendy Wintersteen është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit përmes projekteve konkrete për bujqësinë kosovare, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në bujqësi. Krahas kësaj, gjatë këtij takimi u diskutua edhe mundësia e organizimit të takimeve dhe vizitave studimore në të ardhmen për ekspertë të fushës dhe studentët nga Iowa në Kosovë dhe anasjelltas.
Po ashtu, Ministri Faton Peci, e ka njoftuar atë për angazhimin e tij gjatë këtij mandati, që sektorin e bujqësisë ta zhvillojnë duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, duke pasur parasysh këtu marrjen e përvojës nga shteti i Iowas, duke pasur për bazë se Kosova mund të mësojë shumë nga praktikat dhe tradita e madhe bujqësore në këtë shtet. Ata u pajtuan që përmes projekteve konkrete të fillojnë bashkëpunimin në të ardhmen. Me këtë rast, Ministri e ka njoftuar edhe me të arriturat në sektorin e bujqësisë në Kosovë dhe për potencialet që ka ky sektor për të ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Me këtë rast, Ministri Faton Peci ka vizituar edhe Fakultetin e Shkencës të Kafshëve, ku është takuar me Udhëheqësin e Departamentit të Shkencës së Kafshëve, Dan Thomson, me ç ’rast e ka njoftuar atë me racën aktuale të gjedheve në Kosovë dhe me këtë rast ai ka marrë mbështetjen e tij për të konkretizuar projekte të përbashkëta që kanë për qëllim përmirësimin e racës së gjedheve në Kosovë.
Krahas kësaj, ministri ka vazhduar me vizitat e tij edhe në Fakultetin për Agrokulturë dhe Shkenca të Jetës, ku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e Dekanatit të këtij fakulteti, Jay Harmon, ku është njoftuar mbi praktikat e tyre të punës dhe shërbimet që i ofrojnë edhe për fermerët dhe sektorin privat, si dhe mënyrën e komunikimit dhe këshillimit që ndërlidh fermerët me profesionistë të fushës.
Në kuadër të Universitetit Shtetëror të Iowas operon edhe Qendra për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të cilën sot e ka vizituar Ministri Faton Peci dhe ku është takuar me Drejtorin e kësaj qendre, John Crespi, njëherësh edhe profesor në Departamentin e Ekonomisë të Universitetit të Iowas. Ministri është njoftuar për së afërmi me operimin e kësaj qendre dhe shprehi interesimin që një bashkëpunim konkret me këtë qendër të aplikohet në të ardhmen me Kosovën, për të nxitur zhvillimin e bujqësisë sipas praktikave që ofron kjo qendër.
Ndryshe, gjatë këtyre vizitave në Iowa, delegacioni i Kosovës është i shoqëruar nga Profesori Curtis Youngs, i cili është një mik i Kosovës dhe ekspertiza e tij i kontribuon zhvillimit të sektorit të blegtorisë në Kosovë.