Uka Saraj instalon teknologji te reja për përpunimin e mishit
Prishtinë, 15 gusht - Njëra nga agrobizneset vendore, e cila përmes granteve të Komisionit Evropian ka arritur të instalojë pajisjet e reja për përpunimin e mishit në vlerë prej 412 mijë euro, është edhe kompania Uka Saraj, në Han të Elezit.
Në promovimin e këtyre pajisjeve, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se investimet e tilla në sektorin e përpunimit të mishit janë të domosdoshme dhe sipas tij këto investime po ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së prodhimeve të mishit dhe në rritjen e punësimit në vend.
Agrobizneset në vendin tonë përveç se duhet ti shtojnë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese, në të njëjtën kohë ato kusht të veçantë duhet ta kenë arritjen e cilësisë dhe standardeve të larta ushqimore, pasi këto janë edhe kriteret kryesore si për tregun e brendshëm, ashtu edhe për atë të jashtëm.\"
\"E një shembull i mirë i arritjes së këtyre kritereve, është edhe kompania Uka Saraj, e cila sot po përuron një teknologji të re për përpunimin e mishit, tha ministri Stavileci. Përkrahja për sektorin e prodhimit dhe përpunimit të mishit, sipas tij është e domosdoshme, duke ditur se në të kaluarën ky sektor nuk ka pasur përkrahje.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha se përmes projekteve të tilla synojnë përmirësimin dhe arritjen e standardeve dhe cilësisë në prodhimet e mishit.
Sektori i përpunimit të mishit, është njëri nga sektorët që ka nevojë më së shumti për investime në teknologji të reja dhe KE-ja përmes projekteve të tilla do të vazhdojë përkrahjen për këtë sektor edhe në të ardhmen, tha Stock.
Pronari i kompanisë Uka Saraj, Kemal Abazi, tha se me realizimin e këtij projekti kanë arritur të rrisin kapacitetet përpunuese për 20 për qind dhe kanë shtuar edhe numrin e të punësuarve.
Ndryshe, kompania për përpunimin e mishit Uka Saraj, në Han të Elezit, për instalimin e makinerive për rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e gamës së produkteve, është mbështetur në shumën prej 305 mijë euro nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe kapacitetet përpunuese të kësaj kompanie tashmë arrijnë deri në 5 ton brenda ditës.