U mbajt panairi i gjedhit "Kosova 2011"
Prishtinë, 29 maj - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Gjakovës, në fshatin Korenicë të kësaj komune, organizuan për të nëntin vit me radhë panairin tradicional të gjedhit Kosova 2011, i cili ka karakter nacional dhe garues, si dhe grumbullon blegtorët e shumicës së komunave të Kosovës.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se vendi karakterizohet me një zhvillim ekonomik të bazuar në masë të madhe në sektorin e bujqësisë dhe një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomive bujqësore është padyshim edhe blegtoria, e cila zë një vend mjaft të rëndësishëm në prodhimin e përgjithshëm bujqësor.
Blegtoria e jonë ka shënuar përparime në kuptimin e përmirësimit të racës së kafshëve dhe cilësisë e sasisë së prodhimit dhe po ashtu, edhe ritmet e zhvillimit të gjedhëtarisë konsiderohen si mjaft të kënaqshme. Të dhënat janë inkurajuese dhe politika racore në vend është duke u orientuar gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një fondi të qëndrueshëm për populacionin e bagëtive blegtorale, me bazë gjenetike të prodhimtarisë së lartë. Këtë e dëshmojnë edhe gjedhet e ekspozuara në këtë panair, por këto politika racore, në kontinuitet duhet të jenë në harmoni me drejtimet e prodhimtarisë, që të mundësohet krijimi i kopeve elitë, tha ministri Stavileci, duke i inkurajuar më tej fermerët se në vitin e ardhshëm, mbështetja finanaciare e MBPZHR-së do të jetë shumë më e madhe.
Ndërsa, Pal Lekaj, kryetar i komunës së Gjakovës, me rastin e zgjedhjes së fermerëve më të mirë, tha se ekspozimi i shumë racave të gjedhit në këtë panair dhe zgjedhja e fermerëve më të mirë është një mundësi e mirë për këmbimin e përvojave dhe motivimin e fermerëve për tju qasur me më shumë zell kësaj veprimtarie.
Fitues i panairit të gjedhit Kosova 2011 u zgjodh fermeri nga Peja, Dukagjin Dedaj.
Po ashtu, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, së bashku me zv.kryeministren/ministren e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ministrin e MZHE-së, Besim Beqaj, gjatë ditës së shtunë i kanë vizituar edhe disa prej kompanive më të suksesshme në komunën e Pejës (kompaninë Elkos Group, fabrikën e ujit dhe djathit Rugova, si dhe kompaninë Devolli Group), me çrast kanë diskutuar për problemet që po i rëndojnë në fushëveprimtaritë e tyre, për eksportin e produkteve të tyre dhe konkurrencën jolojale, për politikat fiskale dhe planet për të ardhmen, etj.