U mbajt panairi i gjedhit dhe deleve Kaçaniku 2010
Kaçanik, 15 gusht - Sot në fshatin Koxhaj të komunës së Kaçanikut u mbajt panairi i gjedhit dhe deleve "Kaçaniku 2010". Panairi Kaçaniku 2010 është organizimi i dytë më radhë dhe në të ardhmen mëton të jetë tradicional.
Në hapjen e këtij panairi mori pjesë edhe zv.ministri i MBPZHR-së z.Xhabir Morina, i cili ndër të tjera tha se përzgjedhja e mëshqerrave dhe deleve është një sistem i bazuar në cilësi, i cili në mënyrë efektive promovon interesin prodhues të fermerëve që merren me mbarështimin e gjedheve.
Një organizim i tillë, shtoi më tej zëvendësministri Morina, kontribuon në këtë aspekt dhe mundëson që fermerët, shoqatat e tyre dhe ekspertë të kësaj fushe të promovojnë punën e tyre dhe të këmbejnë përvojat të cilat prekin ndjeshëm zhvillimin e këtij sektori.
Me qëllim të stimulimit të prodhimtarisë blegtorale dhe të shtimit të të ardhurave për fermerë, vazhdoi zëvendësministri Morina, MBPZHR gjatë vitit 2010 ka realizuar projektin për subvencionimin e lopëve qumështore dhe mëshqerrave, ku përfitues kanë qenë 4.237 fermerë me gjithsej 36.566 krerë lopë dhe mëshqerra, të cilët janë subvencionuar me nga 30 euro për një krerë. Vlera e projektit është 1.096.980 .
Po ashtu, shtoi zëvendësministri Morina, është realizuar edhe projekti për subvencionimin e kafshëve të imëta (dele dhe dhi), ku përfitues kanë qenë 1503 fermerë me gjithsej 126.141 krerë, të cilët janë subvencionuar me nga 10 euro për një krerë. Vlera e projektit është 1.261.410 euro.
Ndërsa, nënkryetari i KK-së së Kaçanikut z.Heset Loku, tha se përmes këtyre organizimeve bëhet nxitja e fermerëve për ngritjen e cilësisë si dhe për menaxhim më të mirë të fermave të tyre në përgjithësi. Evenimentet e tilla, shtoi z.Loku, ndikojnë që fermerët të fokusohen më shumë në mbarështimin e mështjerrave me klasifikim më të mirë dhe prodhimtari më të lartë.
Më tej, komisioni i ekspertëve pasi bëri vlerësimin e kafshëve të ekspozuara në panair, ndau edhe nga një shifër modeste të hollash si shpërblim për tri vendet e para në kategori të ndryshme, si: raca më e mirë e lopëve produktive, për racen Mentes (Busha), për mëshqerrat, për tufën më të mirë të deleve, si dhe për demat më të mirë.