22 Dhjetor 2024

U hap panairi i bletarisë

Prishtinë, 16 shtator - Sot në sheshin Nëna Terezë, nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Lidhjes së Bletarëve të Kosovës u bë hapja solemne e Panairit të VII të Bletarisë “Kosova 2010”.

Organizimi i Panairit të Bletarisë është tradicional dhe duke filluar nga sot, 16 shtator deri me 18 shtator, në sheshin Nëna Terezë do të ketë aktivitete dhe vizita të ndryshme gjatë tërë ditës.

Në emër të bletarëve, të pranishmëve iu drejtua Halil Dermaku, i cili ndër të tjera tha se edhe bletaria varet shumë nga klima që dominon gjatë vitit.

“Bletaria është degë e bujqësisë dhe bujqësia është industri e pa kulm, kështu që, prodhimtaria bujqësore nuk varet vetëm nga puna apo mospuna e fermerit, por edhe nga klima që dominon gjatë vitit. Prandaj, të gjithë e dijmë se ky vit ishte mjaft i disfavorshëm për bujqësi në të gjithë rajonin, sidomos për bletarinë ku rendimentet u zvogëluan dukshëm në krahasim me vitet e mëparshme”. Megjithatë, falë angazhimit të madh të këtyre bletarëve të vyeshëm, ne edhe këtë vit arritëm që para konsumatorëve tanë të prezentohemi me llojllojshmërinë e produkteve të bletës mu në qendër të Prishtinës, përfundoi Dermaku.

Përderisa shpalli të hapur këtë panair, ministri i MBPZHR-së z.Blerand Stavileci, tha se organizimet e tilla ndikojnë në ngritjen e imazhit të bletarëve dhe në promovimin e bletarisë si degë e rëndësishme e bujqësisë.

Siç e dijmë, shtoi ministri Stavileci, bletaria ka qenë e lënë pas dore një kohë të gjatë, por kohëve të fundit shihet një disponim më i mirë për zhvillimin e kësaj dege të dobishme, si nga ana e inkuadrimit të bletarëve të rinj në këtë lëmi, ashtu edhe nga ana institucionale.

“Deri me tani nuk kemi pasur ndonjë projekt të veçantë që ka mbështetur drejtpërdrejtë bletarinë, por në kuadër të granteve që janë ndarë për ekonomitë e ndryshme bujqësore, në të kaluaren dhe tani, ka pasur edhe aplikant me projekte nga kjo fushë, të cilët kanë përfituar dhe janë mbështetur në mënyra të ndryshme”.

Kërkesa e madhe për prodhimet e bletës, shtoi ministri Stavileci, paraqet edhe nevojën që të ofrohen trajnime dhe shërbime të ndryshme këshillimore.

“Si rrjedhojë e kërkesës së madhe për prodhimet e bletës, paraqitet nevoja që të organizohen dhe ofrohen shërbime të ndryshme këshillimore, që do të shërbenin si ndihmesë në zhvillimin e kësaj fushe. Për të pregaditur kuadro të specializuara në këtë fushë, paraqitet po ashtu edhe nevoja që në kuadër të ndonjë shkolle profesionale të hapet ndonjë seksion i veçantë për bletarinë, duke mundësuar që të thellohen dhe zgjerohen edhe më shumë njohuritë për zhvillimin e mëtutjeshëm të bletarisë së Kosovës”.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka hartuar ligjin për bletari dhe tani është në proces të hartimit të akteve nënligjore për rregullimin e veprimeve që do të mundësojnë avancimin e mëtejmë të sektorit, duke vendosur rregulla për mbarështimin, tregtimin e bletëve dhe produkteve të tyre.

Panairi do të jetë i hapur deri të shtunën në orën 18:00.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)