Trajtohet problemi i përmbysjes së tokës bujqësore nga uji në Zhabar
Mitrovicë, 8 gusht - Drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (DBZHR), Veton Rexha, së bashku me stafin e tij, ka dalë në terren për të vëzhguar situatën në Zhabar, ku 10 hektarë tokë bujqësore janë përmbysur nga uji i kanalit industrial “Trepça” dhe nga një pjesë e ujit të ujësjellësit.
Më këtë rast, Drejtori i DBZHR, Veton Rexha, theksoi se drejtoria nën udhëheqjen e tij, në bazë të mundësive që i ka, do ta trajtoj këtë problematikë.
Ai potencoi se do të bëhen analiza më të hollësishme se cila është gjendja reale për të vepruar më tutje.
“Jam i njoftuar për këtë problem që ju po përballeni qe një kohë të gjatë, prandaj jam këtu për të ju thënë se do të angazhohem që kjo pjesë e tokës të mos atakohet nga përmbytjet. Duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë për këtë problem tuajin”, theksoi ai.
Xhafer Sadiku, përfaqësues i fshatit Zhabar i Epërm, tha se deri më tani, pavarësisht kërkesave të shumta, askush nuk ka ndërmarrë asgjë për të evituar këtë situatë në këto prona. Ai falënderoi drejtorin Rexha për vizitën.
“Ne u jemi mirënjohës juve për interesimin, pasi tash e një kohë të gjatë kemi këtë problem. Pronarët që i kanë pronat e tyre këtu tash e një kohë nuk kanë mundur t`i punojnë ato për shkak të depërtimit të ujit nga kanali industrial që kalon nëpër prona”, theksoi ai.