Trajtimi i qumështarëve nga shteti ka qenë i mangët dhe nënçmues
Prishtinë, 20 qershor - Sot Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka mbajtur Konferencën për Masat Mbrojtëse ndaj Produkteve të Qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila pati për qëllim diskutimin mbi vendimin e dhënë muaj më parë nga Ministria së Tregtisë dhe Industrisë për masat mbrojtëse të produkteve të qumështit.
Konferenca e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës trajtoi mos zbatimin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për masat mbrojtëse të qumështit i cili importohet nga Bosnja dhe Hercegovina, vendim që synim kryesor ka pasur mbrojtjen e industrisë vendore të qumështit nga produktet që vijnë nga importi dhe shiten nën kosto të tregut.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin zyrtarë nga Ministria e Financave, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës si dhe shoqatat dhe prodhuesit e produkteve të qumështit dhe shoqatat e biznesit.
Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës u shpreh që sektori i prodhimit të qumështit ka hasur në sfida të shumta gjatë këtyre viteve dhe ka nevojë për përkrahje më të madhe nga institucionet e vendit.
Duke u fokusuar më shumë tek problemi për të cilën edhe u mbajt konferenca, Bosnja dhe Hercegovina si një shtet i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës ka barriera të shumta për prodhuesit vendor.
Ai u shpreh që ”Ne si Klub i Prodhuesve të Kosovës jemi në përkrahje të tregut të lirë por ky treg duhet të ketë kushte të barabarta dhe konkurrencë të lirë për të gjithë.”
Kurse Besim Kuqi, kryetar i shoqatës së fermerëve kosovarë të qumështit theksoi se trajtimi i qumështarëve nga shteti gjatë këtyre viteve ka qenë i mangët dhe nënçmues.
Ai po ashtu theksoi që si shoqatë e kanë mirëpritur vendimin e MTI-së për masat mbrojtëse, duke marr parasysh faktin që kanë kohë që kanë avokuar kundër lejimit të produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Ky sektor është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit kur merret parasysh që janë diku 2000 ferma me nga rreth 5 të punësuar nga një familje” – shtoi ai.
Luzlim Rafuna nga Ministria e Financave u shpreh se Ministria e ka prioritet zhvillimin e sektorit të prodhimit përkatësisht prodhuesit vendor, duke marr vendime që këta prodhues të prodhojnë e kosto sa më të ulëta dhe të zhvillohen sa më lehtë.
“Vendimin e MTI-së nuk e ka kundërshtuar por nuk e ka implementuar duke kërkuar qartësim ligjor. Ky qartësim tashmë është zgjidhur dhe ne kërkojmë që të respektohen dispozitat e shkruara ligjore” u shpreh z.Rafuna.
Ndërsa, Muhamet Mustafa po ashtu konfirmojë që sektori i industrisë së qumështit është sektor strategjik, dhe përkundër konkluzave dhe sugjerimeve të shumta situata ende nuk është përmirësuar. Kjo vërehet me zvogëlimin e numrit të krerëve të lopëve, ku nga 2011 deri tani janë rreth 60 mijë krerë të lopëve.
“Tregu i Kosovës është treg i vogël ku e ka të nevojshme eksportimin, e për këtë duhet të rritur aftësia konkurruese dhe po ashtu të merren edhe masat e nevojshme mbrojtëse.”
Kurse Alush Kryeziu nga përfaqësues nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tha që vendimi i 16 Prillit i MTI-së është bazuar në dy ligjet bazë, në ligjin antidamping dhe ligji për masat mbrojtëse.
MTI ka marrë kërkesë nga Shoqata e Fermerëve dhe kanë filluar hetimin të rastit në tri fusha: “Pas hulumtimit të rastit në analizën e importit të produkteve të qumështit ka dal që produktet e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina ka pasur rritje të vazhdueshme në Kosovë, ku në vitin 2016 importi ka qenë 36%, trend i njëjte ka vazhduar edhe në muajt e parë të këtij viti.
Në të njëjtën kohë ka filluar rënia e prodhimit vendor me vetëm 81 mijë litra qumësht të prodhuar në ditë. Dhe fusha e tretë e hulumtimit ka treguar që çmimi i importeve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është më i lirë se vendet tjera.”
Konform këtyre gjetjeve MTI ka vendosur masat mbrojtëse 17% ndaj produkteve të qumështit të importuar nga Bosnja dhe Hercegovina.
Ndërkaq, Dren Ajeti zyrtar ligjor i Klubit të Prodhuesve të Kosovës tha që qëllimi i masave mbrojtëse në parim është ruajta nga çrregullimi i brendshëm i tregut dhe i kushteve të cilat kanë potencial të shkaktojnë dëme ekonomisë së vendit, duke e mbrojtur konkurrencën e lirë dhe prodhuesit vendor.