Themelohet kooperativa bujqësore në Prizren
Prizren, 13 tetor - Sot në restorantin Marash është mbajtur prezantimi i Planit të Biznesit për themelimin e kooperativës bujqësore në Prizren, i promovuar dhe organizuar nga Caritas-i Zviceran.
Duke themeluar kooperativën bujqësore në regjionin e Prizrenit dhe të Shtërpcës në bazë të biznes planit të propozuar, popullata rurale do të jetë në gjendje që të prodhojë dhe të shes prodhimet e tyre në treg me kushte të barabarta.
Kooperativa e re bujqësore mund të ketë ndikim të rëndësishëm në treg me efekte mbrojtëse për prodhuesit e vegjël, duke menaxhuar në mënyrë efikase kapacitetet e tyre prodhuese dhe duke krijuar kushtet e favorshme të tregut për fermerët e margjinalizuar, tha Kreshnik Basha, Drejtor i Caritasit Zviceran.
Plani i biznesit mund të përdoret si mjet nga Caritas-i Zviceran dhe donatorët tjerë për mbështetjen e gjenerimit e të hyrave rurale dhe ndikimin pozitiv ndaj popullatës rurale.
Caritas-i Zviceran është duke zbatuar projektin e bujqësisë Mbështetja për gjenerimin e të hyrave bujqësore - RINGS për fermerët e vegjël në komunën e Prizrenit dhe të Shtërpcës.
Projekti në fjalë ka disa komponentë si zhvillimi dhe përforcimi i asociacioneve të prodhuesve, zhvillimi i prodhimtarisë së integruar dhe organike të pemëve të imta, themelimi i kooperativës bujqësore dhe zhvillimi i prodhimtarisë bujqësore nëpërmjet kredive investuese.
Pjesëmarrësit në këtë prezantim kanë qenë përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Shtërpcës, asociacionet e prodhuesve të mjedrës dhe të mjaltit, organizatat ndërkombëtare, firmat grumbulluese dhe përpunuese të pemëve të imta si dhe afaristët e shumtë.