Thaçi u premton subvencione krushjanëve
Para të pranishmëve, kryeministri Thaçi, mbajti një fjalim, në hapje të së cilit i falënderoj krushjanët për mikpritjen që po i bëjnë, duke theksuar faktin se ndihet tepër mirë që po gjendet në mesin e njerëzve të punës, të sakrificës dhe njerëzve që kanë dhënë shumë për Kosovën - theksoi kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha se ndihet i privilegjuar që gjendet në fshatin e njeriut që i dha nder kombit shqiptar me idetë dhe filozofinë e tij për shtetndërtimin e Kosovës, në vendlindjen e profesor Ukshin Hotit.
Edhe në filozofinë e profesor Ukshin Hoti ka qenë shtetndërtimi i shtetit, duke u nisur nga koncepti i zhvillimit, rritjes së mirëqenies sociale dhe hapjes së vendeve të reja të punës tha kryeministri Thaçi duke shtuar se ky është edhe vizioni im për zhvillimin e Kosovës.
Rahovecin e kemi shpallur kryeqytet të bujqësisë në Republikën e Kosovës. Do të vazhdojmë të zhvillojmë konceptin tonë për zhvillimin e bujqësisë anekënd Kosovës. Bujqësia do të vazhdojë të mbetet prioriteti kryesor për Qeverinë e Republikës së Kosovës tha z.Thaçi.
Duke theksuar se pas periudhës së konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, kryeministri Thaçi ka potencuar se tani i gjithë potenciali ynë, angazhimi ynë, energjitë tona do të shkojnë drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Duke radhitur investimet që janë bërë nga Qeveria e Kosovës në bujqësi, kryeministri Thaçi tha se deri më tani janë subvencionuar rreth 188 mijë hektar tokë të punueshme në këtë periudhë kohore anekënd Kosovës, janë shtuar sipërfaqet e mbjella me mbi 60 mijë hektar në gjithë Republikën e Kosovës, gjithashtu janë subvencionuar me 1 milionë 385 mijë krerë të bagëtisë gjatë viteve 2008- 2013. Janë përfshirë në ujitje rreth 20 mijë hektar tokë bujqësore gjë që ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në rritjen e prodhimtarisë rreth 40 deri në 60 për qind. Gjithashtu janë ndërtuar dhe kompletuar në infrastrukturë 214 ferma blegtorale. Në grante investive janë përkrahur 2514 projekte për zhvillimin rural tha kryeministri Thaçi.
Në vazhdim të adresimit para fermerëve të Krushës së Madhe, kryeministri Thaçi foli edhe për mbështetjen e dhënë në sektorin e Blegtorisë, duke theksuar se në këtë sektor kemi rritjen e prodhimtarisë së qumështit dhe rritje të fondit të përgjithshëm të bagëtisë për rreth 20 për qind, janë mbështetur rreth 30 agrobiznese në modernizimin e teknologjisë dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese theksoi kryeministri dhe shtoi se përmes granteve nga Ministria e Bujqësisë kemi hapur 7000 vende të reja pune, ndërsa përmes subvencioneve kemi mbështetur rreth 70000 mijë vende të punës ekzistuese në bujqësi anë e kënd Kosovës.
Më tej, kryeministri Thaçi se kemi investuar rreth 1 milion euro për ndërtimin e një depoje të madhe në Rogovë, të standardeve evropiane, e një depoje që do të zgjidhë problemet e fermerëve për prodhimet e tyre.
Duke folur për investimet e sivjetme në bujqësi, Kryeministri Thaçi ka thënë se në programin e sivjetëm për bujqësi dhe zhvillimin rural do të ketë subvencione për farë për grurë, për misër, për lulediell, për lopë, për buallica qumështore, dele dhe dhi, për qumësht, sipas kategorive të cilësisë, për pulari dhe bletari, vreshtat ekzistuese, për material fidanor të pemëve dhe të hardhisë së rrushit tha kryeministri Thaçi dhe shtoi se po ashtu përmes granteve investive do të përkrahet edhe prodhimtaria e qumështit, mishit, zogjve për mish, vezëve, do të përkrahet prodhimtari e mjaltit, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur, me sera, gjithashtu prodhimtaria e patates, mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, manaferrës, vreshtari dhe bimët mjekuese.
Kryeministri Thaçi në vazhdim të takimit në Krushë të Madhe të Rahovecit ka theksuar se për tju lehtësuar punët tuaj ne kemi vendosur që për të gjithë ata fermerë që mbjellin, speca, domate, shalqinj, patate dhe tranguj, duke filluar nga këtu në Krushë të Madhe dhe Rahovec dhe në gjithë Kosovën, nga Qeveria e Republikës së Kosovës për një hektar të mbjellë do të paguhen nga muaji Maj, me nga 300 euro.