Teknologjitë e reja, të domosdoshme në bujqësi
Prishtinë, 23 tetor - Për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, është shtuar në masë të madhe edhe mbështetja institucionale. E kësaj mbështetje, po i ndihmon edhe puna e ekspertëve të bujqësisë, të cilët në vazhdimësi fermerëve po iu ofrojnë këshilla teknike për praktikat më të mira për kultivimin e shumë kulturave bujqësore.
Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, në ceremoninë e përfundimit të trajnimit për implementimin e teknologjive të reja në bujqësi dhe në mbrojtjen e bimëve.
Ministri Stavileci, tha se mbështetja, e cila është dhënë viteve të fundit për sektorin e bujqësisë, përmes granteve, subvencioneve dhe këshillave teknike, ka ndikuar edhe në shtimin e interesimit të fermerëve për këtë sektor.
Për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, na nevojitet një mobilizim i përgjithshëm dhe në këtë mënyrë bashkërisht të japim kontributin tonë që kësaj pasurie që e kemi, në radhë të parë tia kthejmë dinjitetin e humbur dhe pastaj ta vëmë në binaret e mirëfilltë të zhvillimit. Duhet theksuar se në këtë drejtim, gjatë këtyre viteve të fundit kemi arritur që përveç shtimit të interesimit për këtë sektor, të ndryshojmë edhe mentalitetin për sa i takon bujqësisë, tha ministri Stavileci.
Sipas tij, mbështetja e ekspertëve të bujqësisë dhe trajnimet e ndryshme që po mbahen për fermerët vendorë, po mundësojnë që kultivimi i kulturave të ndryshme bujqësore, të bëhet sipas praktikave më të mira bujqësore.
Në anën tjetër, eksperti i mbrojtjes së bimëve, Bajrush Shala, i cili njëherësh është shpërblyer edhe më mirënjohje për kontributin 50 vjeçar në këtë sektor, ka treguar edhe për rezultatet, të cilat i kanë arritur gjatë këtij trajnimi.
Gjatë kohës sa ka zgjatur trajnimi, ne kemi arritur që të trajnojmë fermerët se si të përdorin teknologjitë e reja bujqësore, në kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Përveç kësaj ata janë trajnuar edhe për implementimin e praktikave më të mira në mbrojtjen e bimëve, ka thënë Shala.
Ndryshe, në trajnimin për implementimin e teknologjive të reja bujqësore dhe në mbrojtjen e bimëve, kanë marrë pjesë 227 fermerë nga rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët gjatë 10 ditëve sa ka zgjatur trajnimi, kanë pasur mundësinë që nga eksperti Bajrush Shala, të mësojnë për mënyrat më të mira të kultivimit të trangujve, misrit, grurit, domates, sallatës së gjelbër, specit dhe shumë kulturave tjera bujqësore.