Të rritet shkëmbimi tregtar i produkteve bujqësore mes Kosovës dhe Hungarisë
Budapest, 23 shtator - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi me ftesë të homologut të tij, po qëndron për një vizitë zyrtare në Hungari, ku do të marrë pjesë edhe në hapjen zyrtare te edicionit të 77-të të Ekspozitës Kombëtare të Bujqësisë dhe Ushqimit.
Ministri Krasniqi ka zhvilluar sot një takim bilateral me Ministrin e Bujqësisë së Hungarisë, Sandor Fazekas, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve në këtë fushë.
Ministri Krasniqi e njoftoi homologun hungarez me të arriturat dhe sfidat në bujqësinë kosovare, duke theksuar se qeveria e ka këtë sektor ndër prioritetet kryesore gjatë këtij mandati.
Ai shtoi se buxheti është shtuar dukshëm dhe se me mbështetje ndaj prodhuesve, po zgjerohet dhe shtohet prodhimi. Ministri tha se përmes investimeve direkte të qeverisë në bujqësi, çdo vit do të hapën mijëra vende të reja të punës.
Por në këtë frymë, tha ai, ka nevojë që të ketë bashkëpunim më të madh me shtete të ndryshme, në mënyrë që të ketë më shumë prodhime kosovare në Evropë, duke përfshirë edhe Hungarinë.
Ai tha se të dy vendet kanë shkëmbime tregtare në produkte të ndryshme bujqësore, por shtoi se ka nevojë dhe potencial që volumi i përgjithshëm tregtar ndërmjet dy vendeve të rritet.
Ministri Krasniqi tha se të dy ministritë mund të iniciojnë projekte të ndryshme bashkëpunimi, në shkëmbimin e përvojave apo edhe në takime të ndryshme mes prodhuesve e përpunuesve nga të dyja vendet në mënyrë që të krijohen lidhje të reja mes komunitetit të biznesit.
Nga ana e tij, ministri Fazekas vlerësoi angazhimin që Qeveria e Kosovës po bën në bujqësi duke shtuar se me këtë do të rritet punësimi dhe zhvillimi ekonomik. Fazekas shprehi gatishmërinë e tij që të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Të dy ministrat u pajtuan që të kenë komunikime edhe në të ardhmen në mënyrë që të konkretizohen fushat e bashkëpunimit dhe veprimet konkrete në funksion të avancimit të bashkëpunimit profesional dhe rritjes së tregtisë ndërmjet të dy vendeve.
Gjatë ditës, Ministri Krasniqi, bashkë me Ministrin Fazekas dhe Kryetarin e Parlamentit te Hungarisë.... vizitoi edhe Panairin Kombëtar të Bujqësisë, me c rast takuan dhe bashkëbiseduan me shumë prodhues dhe përpunues të produkteve bujqësore të Hungarisë.
Gjithashtu, Ministri Krasniqi ishte prezent edhe në ceremoninë formale të nënshkrimit te Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Corvinius të Hungarisë dhe Kolegjit UBT nga Kosova, qe ka si fokus bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy institucioneve në fushën e programeve akademike të sigurisë ushqimore.