22 Dhjetor 2024

Suedia do të përkrahë menaxhimin e pyjeve në Kosovë

Prishtinë, 6 tetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci u takua sot me Ministrin Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Per Olsson Fridh, i cili këto ditë po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Ata bashkërisht vizituan projekte pyjore në zonën e Suharekës, të cilat janë financuar nga Qeveria e Suedisë.

Më këtë rast, Ministri Faton Peci u shpreh se çështjen e pyjeve është duke e trajtuar me prioritet, pasi rëndësia e këtij sektori është mjaft e madhe. “Çështja e pyjeve dhe mjedisit është duke u trajtuar me prioritet në të gjithë botën e për këtë flet edhe Strategjia e Bashkimit Evropian për Pyjet 2030 karshi së cilës është rreshtuar edhe Kosova, respektivisht Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në atë që njihet si hartimi i Strategjisë për Pyje 2021 – 2030”.

Ministri Peci shtoi gjithashtu se “Duke pasur parasysh sa sfidues është ky sektor, synojmë që ta ndjekim këtë trend të zhvillimit në sektorin e pylltarisë, ku edhe falë përkrahjes së donatorëve të huaj në vend si SIDA Suedeze, Grupi Norvegjez i Pyjeve, Qeveria Holandeze për Zhvillim, FAO, CNVP, etj. në vendin tonë janë realizuar një mori aktivitetesh dhe projekte që i kontribuojnë zhvillimit dhe menaxhimit të sektorit të pylltarisë duke pasur në fokus hartimin e metodologjisë dhe inventarizimit nacional të pyjeve, ndërtimin e sistemit të informacionit pyjor, investimet në Institutin Pyjor, fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve private dhe të decentralizuara, si dhe menaxhimit të përbashkët mes APK-së dhe komunitetit.  

Nga ana e tij, Ministri Olsson Fridh vlerësoi angazhimin e Ministrit Peci dhe Qeverisë së Kosovës në prioritizimin e sektorit të pylltarisë, duke theksuar se shteti suedez do të vazhdojë të përkrahë vendin tonë në përmirësimin dhe menaxhimin , mirëmbajtjen dhe ripërtëritjen e pyjeve si hapa të rëndësishëm për sektorin e pyjeve në Kosovë.

Theksojmë se Projekt-Ligji për Pyje është në diskutim publik deri në datë 08 tetor të këtij viti, dhe përveç Strategjisë për Pyje dhe Ligjit për Pyje, me iniciativën e Ministrit të MBPZhR-së Faton Peci është formuar edhe Task Forca Ndërinstitucionale për Mbrojtjen dhe Menaxhimin e Qëndrueshëm të Pyjeve e cila ditëve në vijim do të mbajë takimin e parë për t’a koordinuar agjendën qeveritare në këtë drejtim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)