Subvencionohen kombajnerët me naftë
Prishtinë, 3 korrik - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZH) ka planifikuar ti ndajë rreth 500 mijë euro për subvencionimin e derivateve të naftës në fushatën e korrje-shirjes së drithërave të bardha.
Zyrtari për Informim në MBPZHR, Adil Behramaj, i ka thënë gazetës se, pas hartimit të planit operativ për fushatën e korrje-shirjeve dhe formimit të komisionit qendror për monitorimin e mbarëvajtjes së fushatës, me qëllim që çmimi i korrje-shirjeve të jetë më i lirë dhe unik në tërë territorin e vendit, MBPZHR-ja ka vendosur që edhe këtë vit ti subvencionojë derivatet e naftës së autokombajnerëve në shkallën prej 25-30-përqindësh.
Numri i autokombajnave që planifikohen të marrin pjesë në këtë fushatë është 1 430 dhe në një takim të përbashkët me drejtorët komunalë të bujqësisë, Federatën Sindikale të Bujqve të Kosovës dhe me disa përfaqësues të autokombajnerëve, është propozuar që çmimi fiks për autokombajnerët në fushatën e korrje-shirjeve të jetë 90 eurosh për hektar, ka thënë ai.
Behramaj ka bërë me dije se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural sivjet ka rritur mbështetjen financiare në 3.2 milionë euro për mbjelljet vjeshtore të grurit, me çrast kemi rritje të sipërfaqes së mbështetur me pagesa direkte për 31. 6 për qind dhe rritje të këtyre pagesave në 100 euro për hektarët e mbjellë me grurë.
Po ashtu ai ka bërë me dije se sipërfaqe të mbjella me grurë në vitin 2011 janë gjithsej 72.797 hektarë. Konsumi i miellit vlerësohet të jetë rreth 140 kg për person në vit dhe kjo është ekuivalente me rreth 205 kg grurë për person. Nevojat tona vjetore për konsum sillen rreth 410 mijë tonë grurë në vit dhe prodhimi ynë mesatar është 250 mijë -280 mijë tonë grurë, ka pohuar ai.
Ky prodhim përmbush rreth 57-60 për qind të nevojave të përgjithshme, mirëpo vitin e kaluar, për shkak të kushteve klimatike dhe temperaturave të larta që kanë mbizotëruar në fazën zhvillimore të grurit, të cilat e kanë penguar zhvillimin normal të tij, kanë bërë që prodhimi i brendshëm të plotësojë vetëm 53.5 për qind të kërkesave të përgjithshme. Rendimenti mesatar i grurit i të gjitha viteve të pasluftës është rreth 3.5 tonë.(Epoka e Re)