Subvencionimi i prodhuesve të verës
Prishtinë, 19 dhjetor - Ministrat Bedri Hamza e Blerand Stavileci, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor folën për akcizën mbi verërat.
Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF), Hamza, fillimisht foli për rëndësinë që ka sektori i ndërmarrjeve të agrobiznesit për ekonominë kosovare.
Ai po ashtu foli edhe për masat që ka marrë ministria për thjeshtësimin e procedurave të biznesit për fermerët e kësaj veprimtarie.
Për sa i përket akcizës mbi verërat, ministri Hamza tha se ajo nuk mund të hiqet.
Kosova, vijoi ai, është nënshkruese e marrëveshjeve ndërkombëtare, andaj jemi të obliguar ti zbatojmë ato.
Sipas kësaj marrëveshje, vazhdoi ministri Hamza, nuk është e mundur të heqim akcizën vetëm për një produkt ushqimor.
Andaj, mënyra më e mirë është subvencionimi i prodhuesve me vlerë më të lartë se akciza të cilën aktualisht e paguajnë prodhuesit e verës, tha ministri Hamza. Edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Stavileci, ishte i mendimit se forma më e mirë është forma e subvencionimit, e cila duhet të ketë vlerën më të lartë se akciza që paguajnë fermerët.
Ministri Stavileci, edhe me këtë rast, u shpreh në favor të përkrahjes së mëtutjeshme të verëtarëve dhe vreshtarëve, nga të cilët kërkoi përkushtimin e tyre për cilësinë prodhuese dhe në marketing për prodhimin që realizojnë.
Përfaqësuesit e verëtarëve ndërkaq, Shani Mullabazi nga Stone Castle dhe Halim Haxhijaha, nga shoqata e verëtarëve, falënderuan ministrat për përkrahje.
Ata premtuan se do të shtojnë kapacitetet prodhuese, ndërkaq kërkuan mbështetje të vazhdueshme institucionale në mënyrë që të jenë të barabartë me konkurrentët e tjerë të rajonit.