Subvencionet shtojnë të mbjellurat
Prishtinë, 12 dhjetor - Subvencionet që janë bërë në vitet e fundit nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR), kanë bërë që të rritet të mbjellurat në të gjitha pjesët e Kosovës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR), Adil Behramaj, ka bërë të ditur se ashtu sikurse viteve të tjera, edhe sivjet krahasuar me vitin e kaluar kemi shtim të sipërfaqeve të mbjella me kulturën e grurit.
Bazuar në raportin e 33 drejtorive komunale bujqësore, gjithsej sipërfaqe të mbjella me kultura levërtare në vjeshtë janë 92206.5 hektarë, ku prej tyre 86684 hektarë janë mbjellë me grurë, që krahasuar me vitin e kaluar më shumë janë rreth 3000 hektarë, 2607 hektarë janë me elb, 1322.5 me thekër dhe 1593 me bimë foragjere, ka thënë ai.
Sipas tij duke filluar nga sot (e mërkurë) do të hapet edhe periudha e aplikimit për subvencione dhe në këtë vit, siç ju kemi informuar edhe më parë, për kultivuesit e grurit kemi rritur subvencionet për 25 për qind më shumë se vitin e kaluar, prej 100 euro në 125 euro.
Kjo rritje është bërë për ti stimuluar dhe motivuar fermerët që të vazhdojnë me kultivimin e kësaj kulture bujqësore dhe për të ndikuar në shtimin e mëtejshëm të sipërfaqeve të punueshme, ka pohuar ai.
Sipas tij për të përfituar subvencione nga Ministria e Bujqësisë, duhet që sipërfaqet e mbjella me kulturën e grurit të jenë minimum 2 ha, parcelat e mbjella me grurë të jenë minimum 0.20 ha, duhet që fermerët të kenë fletën poseduese për sipërfaqen e tokës bujqësore të punueshme.
Pastaj, nëse parcelat janë të marra me qira, ato duhet të jenë minimum 1 hektar i pandarë dhe duhet të dokumentohen përmes kontratës së lidhur ndërmjet palëve dhe përmes fletës poseduese, si dhe sipërfaqja e marrë me qira duhet të jetë e kontraktuar së paku për një vit. Subvencionet janë fikse. Kriteret janë shumë të qarta dhe të gjithë fermerët që i plotësojnë këto kritere, të gjithë përfitojnë, ka theksuar ai.
Behramaj ka thënë se mbështetja e deritanishme përmes subvencioneve, sipas raportit të vlerësimit afatmesëm të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që është bërë nga projekti i binjakëzimit me BE-në, ka ndikuar që në vendin tonë të ketë rritje të konsiderueshme të sipërfaqeve të mbjella pranverore dhe vjeshtore në sektorin e drithërave, nga 102 mijë hektarë sa ka pasur në vitin 2007, në rreth 160 mijë hektarë në vitin 2011
Kabashi: Të subvencionohen edhe bujqit më 50 ari
Kurse pronari i Barnatores Bujqësore Agrobujku, Afrim Kabashi, nga Skenderaj ka vlerësuar se duke e pasur për bazë përkrahjen e qeverisë së Kosovës, që është shumë e përkushtuar në vitet e fundit ka pasur shtim shumë të madh të mbjelljes, në të gjitha kulturat e bujqësore e veçmas në levertëri.
Në Skenderaj ka pasur shtim për 100 për qind, kjo mund të shihet edhe në terren. Nuk mund që të gjesh ara që nuk janë mbjellur, sipas tij ka shtim për blerje të repromaterialet si grurë dhe plehra, ka pohuar.
Kabashi ka kërkuar që subvencionet për grurë të bëhen edhe për fermerët që të behën nga 50 ari, pasi që deri tani janë subvencionuar vetëm ata që kanë mbjell mbi dy hektar.
Edhe menaxheri i firmës bujqësore Agronomia, Shkëlqim Nuhiu nga Llapla Sella, ka vlerësuar se në vitet e fundit ka pasur shtim të kërkesës nga ana e bujqve për të importuar më shuam repromateriale.
Sipas tij në këtë vit është mbjell më shuam dhe presin që të ketë rendimente shuam më të mira.
Besoj që përkrahja e qeverisë, ka ndihmuar që të rriten fushat e mbjellura, por me këtë mbjellje do të ketë edhe rendimente më të larta, pasi që edhe është mbjell në kohë, që kanë ndikuar në kushtet atmosferike, ka thënë ai.
Nuhiu ka sugjeruar që bujqit të këshillohen më shuam me ekspert dhe të marrin më shuam farërat origjinale, pasi që kjo ndikon edhe tek rendimentet.