Strategjia bujqësore sjell fondet strukturale të BE-së
Prishtinë, 4 qershor - Përmes Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, në shtatë vitet e ardhshme synohet rritja e prodhimit dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.
Këto politika, të cilat do të përfshihen në Strategjinë dhe Planin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, do ti ketë të gatshme qysh në fillim të vitit të ardhshëm.
Në prezantimin e draftit të parë të kësaj strategjie, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se kjo strategji përveç që do të mundësojë rritjen e investimeve dhe konsolidimin e bujqësisë kosovare, do të mundësojë që në të ardhmen edhe Kosova të ketë qasje në fondet strukturale të Bashkimit Evropian.
Sipas tij, objektivat e përgjithshme të strategjisë për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural për periudhën 20142020 burojnë nga disa dokumente kyçe, por elementi bazë i planifikimit tha se ka qenë analiza e gjendjes aktuale të sektorit dhe parashikimet e nevojave për të ardhmen.
Objektivat e përgjithshme të strategjisë për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural për periudhën 20142020 janë zhvillimi i një sektori agro-ushqimor konkurrent të bazuar në inovacion me prodhim dhe produktivitet të shtuar, të aftë për të prodhuar prodhime me cilësi të lartë dhe përmbushur kërkesat e tregut të BE-së, mbrojtja e pasurive natyrore dhe mjedisore e viseve rurale, përmirësimi i cilësisë së jetesës dhe diversifikimi i vendeve të punës në viset rurale përmes sigurimit të punësimit, përfshirjes sociale zhvillimit të baraspeshuar territorial të viseve rurale, tha ministri Stavileci.
Ai tha se bazuar nga objektivat e përcaktuara si dhe rezultatet e pritura, emërues i përbashkët i këtij programi do të jetë rritja e prodhimit dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.
Shtimi i produktivitetit dhe përmirësimi i standardeve të sektorit agro-ushqimor, përmirësimi i bilancit tregtar të prodhimeve të bujqësisë dhe industrisë ushqimore, shtimi i punësimit dhe krijimi i të ardhurave në sektorin agroushqimor dhe shërbimeve rurale,shtimi i krijimit të ardhurave dhe cilësia më e mirë e jetesës për viset rurale, si dhe përmirësimi i mjedisit rural dhe fshatrave, janë disa nga rezultatet e pritura të këtij programi, ka thënë ministri Stavileci.
Ndërsa, sipas Franz Patschka, udhëheqës i projektit të binjakëzimit, zhvillimi i sektorit të bujqësisë në Kosovë ka shënuar progres viteve të fundit.
Gjatë këtyre 5 viteve që jam në Kosovë, kam parë që progresi dhe zhvillimi i këtij vendi, e sidomos zhvillimi i sektorit të bujqësisë ka qenë shumë i mirë. Po ashtu kapacitetet për zhvillimin e këtij sektori, si dhe resurset e Ministrisë së Bujqësisë janë të shkëlqyera, ka thënë Patschka.
Në anën tjetër, László Vajda, Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ministrinë e Zhvillimit Rural në Hungari, tha shtetet kandidate, si dhe ato anëtare të BE-së, prioritet duhet të kenë harmonizimin e politikave kombëtare bujqësore me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së.
Edhe pas anëtarësimit në BE, shtetet mund ti kenë politikat kombëtare për bujqësi, por objektivat e këtyre politikave duhet të vihen në kornizën e politikave të përbashkëta bujqësore, ka thënë Vajda.
Ndryshe, në hartimin e Strategjisë dhe Planit Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020, e cila do të finalizohet në fund të këtij viti, kanë ndihmuar edhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, shoqata të fermerëve, donatorë, profesorë të Fakultetit të Bujqësisë, si dhe palë tjera të interesit.