Stavileci vizitoi fermerët dhe agrobizneset
Prishtinë, 1 shtator - Në përfundim e sipër të serisë së vizitave në terren, të cilat ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci i ka ndërmarrë për tu njohur nga afër me problemet me të cilat përballen fermerët dhe kompanitë agrobiznesore përgjatë punës së tyre, sot më 1 shtator, ai ishte për vizitë edhe në kompaninë Eurofruti në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës, si dhe në fshatin Llapashticë të Epërme tek kultivuesi i bimëve të imëta Mensur Cikaqi, kultivues i mjedres dhe në kompaninë agrobiznesore Agroproduct Commerce në fshatin Peran të komunës së Podujevës.
Përgjatë këtyre vizitave, ministri Stavileci tha se, si institucion është e rëndësishme që të kemi kontakte të drejtpërdrejta me të gjitha akterët e kësaj fushe. Qëllimi i këtyre vizitave ishte që të njihemi për së afërmi me vështirësitë me të cilat ballafaqohen fermerët dhe kompanitë agrobiznesore, si dhe për të bashkëbiseduar dhe për të bërë bashkërëndim të veprimeve që së bashku të përmirësojmë gjendjen aktuale dhe ti rrisim aftësitë konkurruese.
Për Ministrinë e Bujqësisë, shtoi ministri Stavileci, objektiva madhore në kuadër të zhvillimit të sektorëve dhe nënsektorëve të saj janë rritja e nivelit të prodhimtarisë vendore, zvogëlimi i importit dhe rritja e eksportit duke krijuar mundësi të reja dhe duke ngritur cilësinë e produkteve në përputhje me standardet moderne, etj. Pas analizave sektoriale do të kemi një orientim të ri dhe sivjet do të kemi edhe një strategji të re për shërbimet këshillimore, shtoi ministri Stavileci, duke vazhduar më tej se, vitin e ardhshëm planifikojmë të zgjerojmë fushën e investimeve dhe të fokusohemi edhe në kulturat e bimëve të imëta bujqësore.
Ndërkaq, Drejtori i kompanisë Eurofruti Bejtush Gashi tha se, kompania merret me përpunim/paketimin e kërpudhave, mjedrave, boronicës dhe gjatë periudhës sezonale numri i të punësuarve arrin mbi 100 punëtorë. Problemet me të cilat ballafaqohemi janë niveli i ulët i njohurive të vjelësve, mungesa e mekanizmave të mjaftueshëm dhe pajisjeve për tharje, ngrirje dhe për ti mbajtur të freskëta prodhimet ngase për shkak të vonesave të shpeshta nëpër pika doganore ndodh që edhe të humbin cilësinë, tha z.Gashi, duke treguar më tej që eksporton në Maqedoni, Serbi, Slloveni, si dhe kërpudha eksporton edhe në Itali dhe Holandë.
Kultivuesi tjetër i bimëve të imëta, përkatësisht kultivuesi i mjedres Mensur Cikaqi tha se, sivjet është viti i dytë i kultivimit të kësaj kulture bujqësore dhe është shtuar interesimi edhe tek fermerët e tjerë të kësaj ane për tu përqendruar më shumë në këtë kulture sepse ka kërkesa të mëdha dhe profit të mirë, por pengesa më e madhe në arritjen e rendimenteve më të mëdha ka qenë mungesa e ekspertëve vendorë në fushën e kësaj kulture bujqësore.
Ndërsa, pronari i kompanisë Agroproduct Commerce, Avni Shabani, i cili merret me mbledhjen, përpunimin, paktetimin dhe eksportimin e produkteve bujqësore, si kërpudha, boronica, mjedra etj., pasi e falenderoi për vizitë ministrin Stavileci dhe e njoftojë atë për veprimtarinë e kompanisë tha se, deri me tani kanë qenë më të fokusuar në tregun e perendimit dhe si rrjedhojë, edhe problemet janë më shumë të procedurave doganore, por në përgjithësi, pengesat përgjatë procesit deri tek përgatitja e produkteve për tregje janë të ngjashme me problemet e fermerëve të tjerë, duke u nisur që nga mungesa e ekspertëve, sistemi i ujitjes, rryma elektrike, pastaj mekanizmat për ambalazhim dhe paktim, furrat për tharje, etj.