22 Dhjetor 2024

Stavileci synon që bujqësia të jetë konkurruese me shtetet e rajonit

Prishtinë, 8 korrik - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, ka thënë se nga viti i ardhshëm buxheti i kësaj ministrie do të jetë mbi 50 milionë euro.


Ai ka thënë se pret që këtë vit rendimentet e të korrurave të jenë më të kënaqshme krahasuar me vitet e kaluara dhe t’i përmbushin më shumë nevojat e qytetarëve të Kosovës. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ministri Stavileci ka folur edhe për ata që kanë abuzuar subvencionet e marra nga shteti. Ai ka thënë se të gjithë ata që kanë kryer shkelje të tilla do të ndëshkohen në bazë të ligjeve.

Sipas tij gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë zhvillime pozitive, të cilat do ta ndihmojnë zhvillimin e bujqësisë në Kosovë. Njëra ndër këto të arritura është - rritja e buxhetit nga Qeveria e Kosovës, po ashtu edhe nga donatorët, të cilët po kontribuojnë shumë që bujqësia e Kosovës të zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare.

Për herë të parë bujqësia është vënë në njërën ndër prioritetet kryesore të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës. Që nga viti i ardhshëm buxheti i ministrisë do të dyfishohet.

"Do të jetë rreth 3 për qind i buxhetit total të shtetit. Një arritje tjetër është se nga viti i ardhshëm në bashkëpunim me donatorët, konkretisht me Bankën Botërore, do të fillojë një projekt, që përkrahet nga kjo bankë në formë të kredisë së butë, më një greis periudhë 10-vjeçare, e cila shkon deri në 20 milionë dollarë, prej të cilave 17 milionë do të jenë grande. Me USAID-in amerikan kemi projekte deri në 16 milionë dollarë", ka pohuar ai.

Me Danidën daneze shumë shpejt do të kemi një projekt në vlerë prej 10 milionë eurosh, prej të cilave 70 për qind do të jenë grande në ndihmë që do të shkojnë direkt për fermerët. Po ashtu me Komisionin Evropian do të kemi bashkëpunim për ta zhvilluar industrinë agropërpuenese.

Pra, në përgjithësi, buxheti në vitin e ardhshëm në total do të jetë 50 milionë euro që, krahasuar me vitet e kaluara, do të jetë rekord, por nuk do të jemi të kënaqur. Vlen të theksohet edhe strategjia këshillimore, që të gjithë fermerët do të kenë këshilla falas. Në të ardhmen do të krijojmë qendra grumbulluese si dhe do të krijojmë edhe fond për garantimin e kulturave bujqësore. Besoj se deri në fund të këtij viti ne do t’i shpallim. Do të kemi edhe shumë projekte për hortikulturë etj.

Ai ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të fillojnë korrje-shirjet. Do të dalim në terren të shohim se si po ecën puna. Besojmë se përkrahja që është bërë në këtë vit ka dhënë rezultatet e veta në rritjen e rendimenteve, pasi është shtuar numri i tokave të mbjella. Kushtet klimatike kanë ndihmuar shumë që të kemi rendimente më të mira dhe të kemi vit të frytshëm. Sipas parallogaritjeve tona, presim që këtë vit të kemi deri 4 tonë për hektar.

Kurse për abuzuesit e subvencioneve MBPZHR ka bërë një udhëzim për këtë gjë.


"Ne kemi 12 mijë hektarë që janë deklaruar rrejshëm. Ka pasur rezultate në këtë drejtim dhe përfundimisht pagesat do të shkojnë tek ata që janë meritorë, kurse ata që i kanë shkelur rregullat do të penalizohen sipas ligjit", ka potencuar ai.
 
Kurse per kritikat e opozitës Stavileci ka thënë se në bujqësi nuk duhet të ketë garë politike. Politikat bujqësore ne i bëjmë me të gjithë akterët që janë prezentë në Kosovë.


"Përgjigjja më e mirë është se po ka rezultate dhe ka pasur shumë thithje të fondeve për zhvillim të bujqësisë për të gjitha kulturat bujqësore. Vetëm në katër vjetët e ardhshëm do të kemi rreth 70 milionë euro përkrahje ndërkombëtare. Ne kemi hapur një kapitull të ri për këtë sektor dhe ndryshimet tani po vërehen, në periudhën afatmesme do të faktohet me produktet tona që do të jenë prezent në tregun vendor dhe në tregun e jashtëm. Qëllimi kryesor është edhe rritja e eksporteve të prodhuesve vendorë", ka theksuar ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)