22 Dhjetor 2024

Stavileci: Raca dhe praktika e rritjes së gjedheve është përmirësuar

Gjakovë, 19 maj - Tradita e ekspozimit të gjedheve dhe përzgjedhja e blegtorëve më të mirë vazhdojë edhe këtë vit në fshatin Korenicë të Gjakovës.

Gjedhe të racave të ndryshme, si simental, hollshtajn, graufi, brounswiss dhe raca e bushës vendore, sot për të dhjetin vit me radhë u ekspozuan përsëri në panairin e gjedhit “Kosova 2012”, i cili tradicionalisht organizohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe komuna e Gjakovës.

Raca e gjedheve dhe praktika e rritjes së tyre është duke u përmirësuar çdoherë e më shumë sipas ministrit Stavileci. Ai tha se politikat racore në sektorin e blegtorisë janë të orientuara drejt krijimit të një fondi të qëndrueshëm për populacionin e bagëtive me bazë gjenetike të prodhimtarisë së lartë.

“Nëse e krahasojmë këtë panair sot, me dy vitet e mëparshme, me të vërtetë është diçka që na trimëron dhe na jep shpresë të gjithëve për një të ardhme më të ndritshme të këtij sektori. Ka rritje të madhe të interesimit për t’u marrë me veprimtari bujqësore e blegtorale dhe një tregues i mirë i kësaj, nëse i referohemi të dhënave të para dy ditëve, kur kemi përmbyllur procesin e aplikimit është se në këtë raund kanë aplikuar rreth 24 mijë fermerë për të përfituar nga përkrahja e ministrisë”, deklaroi Stavileci.

Ai tha se në këtë vit përveç që do të ketë rritje të subvencioneve në 50 euro për krerë të lopëve qumështore, të cilat janë duke ndikuar në rritjen e fondit të gjithëmbarshëm të bagëtisë, do të përkrahet shumë më tepër edhe promovimi i veprimtarive bujqësore dhe blegtorale.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, tha se fermerët që prezantojnë në këtë panair sukseset e tyre në mbarështimin e bagëtisë, kanë mundësi që të krijojnë edhe kontakte të drejtpërdrejta mes vete dhe t’i këmbejnë me njëri-tjetrin përvojat e tyre.

“Ekspozimi i shumë racave dhe kategorive të gjedheve nga tërë vendi në këtë panair dhe zgjedhja e fermerit më të mirë është një përkrahje promovuese dhe stimuluese për fermerë, mirëpo kjo ngjarje ju shërben fermerëve edhe për të krijuar kontakte të reja dhe për ta rritur bashkëpunimin me njëri-tjetrin”, tha Lekaj.

Në panair ishin të ekspozuara rreth 60 krerë të gjedheve nga vende të ndryshme të Kosovës dhe në kategorinë e gjedhit elitë, për shkak të fenotipeve dhe vetive më të mëdha prodhuese, nga komisioni vlerësues fitues është zgjedhur blegtori Lendrit Popaj nga fshati Fortesë i Rahovecit, i cili mbarështon gjedhe të racës simental.

Gjatë kësaj dite, ministri Stavileci ka vizituar edhe blegtorin Musa Shehi në fshatin Sheremet, i cili kishte 48 lopë qumështore, blegtorin Florin Shala në Junik, i cili ishte përfitues i subvencioneve për 30 krerë të lopëve qumështore, biznesmenin Zef Pervorfi në fshatin Dujakë, që kishte 75 lopë qumështore, si dhe blegtorin Adem Sutaj në fshatin Damjan të komunës së Gjakovës, i cili ishte përfitues i subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë për 39 krerë të lopëve qumështore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)