Stavileci: Qasje më të lehtë në kredi dhe kamata më të ulëta
Ministri Blerand Stavileci, ka potencuar se me themelimin e Fondit Garantues për kreditë bujqësore, fermerët do të përfitojë nga ky fond, me ç`rast do të ketë edhe ulje të kamatave bankare, që në shumicën e rasteve janë shumë të larta.
Për Ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci, ky sektor nuk do të trajtohet më si sektor me rrezikshmëri të lartë për kreditim nga sektori bankar. Ai potencon se nga viti i ardhshëm fermerët do t\'\'ju qasen shumë më lehtë kredive bujqësore.
Nga viti 2014-2015 e tutje do të kemi ulje shumë më të madhe të normave të kamatës nga ato që kemi pasur deri më tash që kanë qenë shumë të larta. Pra, si një mesatare kanë qenë rreth 22 për qind, mirëpo ka pasur edhe të tilla që, nëse mund ta quaj si një amplitudë të kamatës që ka shkuar deri në 25.6 për qind, thotë Stavileci, transmeton rtk.
Sipas Ministrit Stavileci, fermerët do të përfitojnë nga Fondi Garantues dhe njëkohësisht do të fillojë ulja e normave të larta të interesit për kreditë që marrin bujqit:
Fermerët do të përfitojnë nga efektet pozitive që sjellë themelimi i Fondit, kolaterali që ka ekzistuar rrjedhimisht ka rritur edhe riskun dhe risku ka bërë që të rriten edhe normat e interesit, të cilat e dimë se kanë qenë shumë të larta, mirëpo ne kemi vënë kusht që ato të fillojnë të ulen.
Në shtator të vitit të kaluar, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë dhe gjashtë bankat më të mëdha në vend, nënshkruan marrëveshjen për Fondin Garantues për kredi bujqësore, përmes së cilës garantohet kreditimi i 20.1 milionë eurove për sektorin e bujqësisë.