Stavileci: Mos e përkrahni shfrytëzimin e fëmijëve
Prishtinë, 15 maj - Angazhimi i fëmijëve në punë të rrezikshme bujqësore dhe pyjore është bërë dukuri shqetësuese për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Operimi me makina bujqësore, puna me pesticide, puna në fushatën e korrje-shirjeve, puna e rëndë fizike dhe prerja e drunjve, ruajtja e bagëtisë në terrene të papërshtatshme dhe puna në thertore, që përfshin therjen, bartjen dhe shitjen e kafshëve, ishin disa prej dukurive të cilat u trajtuan sot në një konferencë pune të organizuar nga Ministria e Bujqësisë për parandalimin e formave të këqija të punës së fëmijëve, e cila është mbështetur edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).
Angazhimi i fëmijëve në aktivitetet bujqësore dhe aktivitetet tjera ekonomike që zhvillohen në zona rurale, të cilat nuk janë aspak të lehta, sipas ministrit Stavileci, nënkuptojnë edhe shfrytëzimin e fëmijëve, sepse duke i lejuar apo duke i detyruar fëmijët që të punojnë, me apo pa vetëdije përkrahet edhe shfrytëzimi i tyre dhe kjo është joligjore, sepse është në kundërshtim edhe me Konventën 182 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Fëmijët kanë nevoja të veçanta për mbrojtje, sepse ata janë keqpërdorur dhe janë shfrytëzuar në të gjitha kohët dhe çfarë është më e keqe, ata po shfrytëzohen ende, madje edhe për punë shumë të rrezikshme. Ju që merreni me aktivitete bujqësore shpeshherë keni mundur të hasni edhe në fëmijë që janë të angazhuar në përdorimin e materieve kimike për dezinfektimin, për eliminimin dhe asgjësimin e shkaktarëve të ndryshëm të sëmundjeve\".
\"Në këto materie janë të përqendruara edhe preparate të ndryshme që rrezikojnë shëndetin e fëmijëve me helmime dhe me djegie organike të shkallëve të ndryshme, të cilat mund ta dëmtojnë edhe mukozën e shqisave të tyre, deklaroi Stavileci.
Ai tha se ka një varg arsyesh se pse duhet të shqetësohemi, të cilat duhet të na shtyjnë që të jemi më të kujdesshëm dhe të mundohemi që të bëjmë më shumë për ti parandaluar këto dukuri.
Fëmijët duhet ti nxisim që të mësojnë, sepse në këtë mënyrë zhvillojmë diapazonet mendore të tyre, duhet ti lejojmë të luajnë, sepse loja në boten e tyre të vogël është vendi ku ata e gjejnë ekzistencën dhe assesi nuk duhet ti detyrojmë të punojnë, sepse çdo fëmijë ka të drejtën e mbrojtjes nga çfarëdo forme e shfrytëzimit, duke përfshirë këtu edhe punët që rrezikojnë shëndetin apo që e pengojnë arsimimin dhe zhvillimin normal të tyre, potencoi Stavileci.
Ndërsa, Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, tha se puna e fëmijëve në Kosovë është bërë përditshmëri dhe se ata në numër mjaft të madh shihen edhe nëpër rrugë apo kafiteri duke shitur pako cigaresh, kartela telefonike apo produkte tjera që bartin në duar. Duhet njëherë e përgjithmonë ta kuptojmë se me punën e fëmijëve nuk mund të krijohet mirëqenie dhe se kjo punë është duke e dëmtuar mirëqenien e tyre, duke e penguar arsimimin dhe zhvillimin e tyre.\"
\"Një popull, një shtet që pretendon ardhmërinë, armën më të fortë e ka edukimin dhe arsimimin, prandaj këta të rinj e meritojnë një mbështetje përmes aktiviteteve të ngjashme, si në këtë rast, tha Gërxhaliu.
Në anën tjetër, menaxherja e programit për eliminimin e punës së fëmijëve në Organizatën Ndërkombëtare të Punës, Lindita Boshtrakaj, tha se përveç punës në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë, puna e fëmijëve është shqetësuese edhe në disa fusha të tjera.
Disa prej formave të tjera të punës së rrezikshme për fëmijë janë edhe puna në rrugë për bartjen e mallrave, për pastrimin e parafangove të automjeteve, për gërmimin, grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave, mandej e rrezikshme është edhe puna e fëmijëve në eksploatimin e resurseve natyrore, tha Boshtrakaj.
Mungesa e vetëdijes për rreziqet dhe pasojat e angazhimit të fëmijëve në këto punë, kushtet e vështira ekonomike për angazhimin e punëtorëve me pagesë, mungesa e mbikëqyrjes së plotë të aktiviteteve që zhvillohen nga fermerët, përfshirë këtu edhe kushtet e punës dhe profilin e punëtorëve të përfshirë në realizimin e punëve.
Pastaj, mos-organizimi i fermerëve nëpër fshatra dhe mungesa e aktiviteteve për fëmijë në zona rurale, siç janë programet e edukimit joformal, si kurset dhe aktivitetet e tjera edukative apo edhe format e organizuara të aktiviteteve sportive dhe rekreative, sipas pjesëmarrësve në këtë konferencë pune, janë disa prej shkaqeve pse fëmijët detyrohen të angazhohen në punë të rrezikshme në bujqësi dhe pylltari.
Konkludimet dhe rekomandimet e grupeve punuese të kësaj konference do të përfshihen në Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Parandalimin dhe Eliminimin e Punës së Fëmijëve 2011-2013, të cilat ofrojnë një kornizë të përgjithshme të prioriteteve për intervenim dhe përcaktojnë rolet e përgjegjësitë e institucioneve shtetërore dhe aktorëve të tjerë për të parandaluar punën e rrezikshme të fëmijëve.