Stavileci: Duhet të rritet efikasiteti për menaxhimin e pyjeve
Prishtinë, 19 prill - Në vitin 2011 sektori i pylltarisë ka shënuar progres të caktuar, por njëkohësisht është ballafaquar edhe me sfida të ndryshme. Ka zvogëlim të prerjeve të kundërligjshme të pyjeve, por kjo dukuri mbetet ende në përmasa shqetësuese për autoritetet qendrore dhe lokale.
Këto ishin disa prej konstatimeve që u nxorën sot në rishikimin e përbashkët vjetor për sektorin e pylltarisë, në të cilin përpos zyrtarëve të institucioneve, morën pjesë edhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare dhe një numër i madh i donatorëve që e përkrahin këtë sektor.
Rishikimi i përbashkët vjetor është një hap i rëndësishëm në drejtim të planifikimit më të mirë të veprimeve për këtë sektor, tha ministri Stavileci, i cili tregoj se qëllimi i këtij takimi, që tani e pas do të jetë i përvitshëm, është që të gjitha palët të takohen me njëra-tjetrën, të diskutojnë, të përpiqen ta intensifikojnë bashkëpunimin dhe të arrijmë ti bashkërendojmë veprimet për zhvillimin e sektorit të pylltarisë.
Në bazë të Strategjisë së Pylltarisë 2010-2020, ne kemi filluar një proces të planifikimit të integruar dhe së bashku me donatorët, nëpërmjet një qasjeje shumëdimensionale, si në veprime, ashtu edhe në financime të projekteve të ndryshme, po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të krijojmë një sistem më të mirë dhe më efikas për planifikimin afatmesëm dhe kjo do të shoqërohet edhe me ndërtimin e një sistemi për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të planeve, deklaroi Stavileci.
Ai tha se indikator i matshëm i lëvizjeve pozitive në këtë sektor është edhe trefishimi i të hyrave nga shitja e masës drusore në vitin e kaluar, por duhet rritur efikasitetin e mekanizmave zbatues dhe monitorues për të arritur deri tek menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve tona pyjore. Kjo është rruga më e mirë dhe më e arsyeshme për të zvogëluar në mënyrë të shpejtë prerjet ilegale në pyjet e Kosovës, përfundoi Stavileci.
Ndërsa, kryesuesi i Bordit për Menaxhimin e Pyjeve, Kushtrim Cukaj, tha se për ta ndryshuar gjendjen dhe për të ecur më shpejt përpara, nevojitet një angazhim dhe koordinim edhe më i madh.
Edhe pse rangimi i strukturave, që kanë të bëjnë me parandalimin e prerjeve ilegale në pyjet e Kosovës ka pasur veprimtari dhe reagime më intensive në vitin e kaluar, ne vërejtëm edhe nga prezantimet e mëhershme se marrja e vendimeve nga ana e gjykatave për personat që i bëjnë këto shkelje, ka qenë jo në nivelin e kënaqshëm. Ne kërkojmë që kjo situatë të ndryshojë. Bashkërisht edhe me ministrinë tonë, atë të drejtësisë dhe gjykatat, ne shpresojmë se do të ndikojmë pozitivisht, që këto lëndë të përshpejtohen, tha Cukaj, duke shtuar se element i rëndësishëm është edhe ligji i ri për pyjet, i cili parashikon që penalizimet të jenë më strikte dhe më shpejt të veprohet ndaj dëmtuesve të pyjeve.
Në anën tjetër, udhëheqësja e Departamentit për Zhvillim dhe Bashkëpunim në SIDA-n suedeze, Maria Melbing, tha se projektet e donatorëve janë duke adresuar fusha të rëndësishme në sektorin e pylltarisë dhe secili projekt është në përputhje me strategjinë e Qeverisë për pylltarinë. Ky rishikim vjetor i përbashkët dhe kjo qasje kërkon aktivitete në një kohë më të gjatë.
Pikë kryesore që është e përbashkët për të gjitha palët e interesit, është që Qeveria duhet të ketë rolin udhëheqës në këtë qasje tërë-sektoriale. Kjo do të krijojë një situatë më të qëndrueshme dhe do ti koordinojë aktivitetet e donatorëve për të arritur një rezultat me të madh në sektorin e pylltarisë. Duhet që ta fuqizojmë edhe më shumë perspektiven e sektorit të pylltarisë, duhet të përmirësojmë bashkëpunimin në mes të donatorëve dhe Qeverisë, qoftë edhe përmes mekanizmave të rishikimit vjetor dhe themelimit të një fondi të përbashkët, tha Melbing.
Në vitin e kaluar në fidanishten pyjore, e cila është në kuadër të Institutit të Pyjeve në Pejë janë prodhuar 1.200.000 copë fidanë të llojeve të ndryshme, janë pyllëzuar 302 hektarë sipërfaqe të zhveshura pyjore në pronësi shtetërore dhe janë përkrah pronarët privat me fidane për pyllëzimin e 48 hektarëve të tokës së tyre. Me masa silvikulturore janë trajtuar 410.56 hektarë sipërfaqe pyjore, por mbrojtja nga sëmundjet e ndryshme ka qenë edhe një aktivitet tjetër dhe me metoda fizike janë trajtuar 4.50 hektarë pishë, e cila ka qenë e atakuar nga procesionaria e pishës dhe 50 hektarë të atakuar nga brumbujt e lëvores.
Inspektorati i Pyjeve në APK ka ngritur gjithsej 161 fletëparaqitje për prerjet ilegale, ndërsa autoritetet komunale, të cilave ju janë deleguar kompetencat për ruajtjen e pyjeve kanë ngritur gjithsej 7635 fletëparaqitje për prerje ilegale, të cilat së bashku janë adresuar edhe në gjykata.
Zvogëlimi i prerjeve të kundërligjshme mbetet njëra prej sfidave kryesore që e përcjellin sektorin e pyjeve që nga paslufta dhe kjo, sipas pjesëmarrësve në rishikim e përbashkët vjetor të gjendjes në këtë sektor, vjen si pasojë e gjendjes sociale të komuniteteve në zona rurale dhe disproporcionit në mes kërkesës dhe ofertës në tregun e masës drusore.