22 Dhjetor 2024

Stavileci: Do ta rimbursojmë akcizën e verës

Prishtinë, 5 qershor - Me rishikimin e buxhetit, do të përfitojnë të gjitha kompanitë prodhuese të verës. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, po planifikon që pas rishikimit të buxhetit, të rimbursojë akcizën e verës për të gjitha kompanitë prodhuese në vend. Rimbursimi parashihet të realizohet në fund të këtij viti.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, në forumin e  verërave 2012 , i cili është mbajtur sot, ka treguar se rimbursimi i akcizës së verës po bëhet në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë për përmirësimin e mëtutjeshëm të gjendjes në sektorin e verëtarisë.

Stavileci ka treguar se ky rimbursim parashihet të kryhet përmes deklarimeve që bëjnë kompanitë për verën e prodhuar në vit, të cilat duhet të jenë të regjistruara dhe të licencuara edhe në Entin e Verërave dhe Vreshtave në Rahovec.

Në këtë drejtim, ministri Stavileci ka bërë të ditur se Ministria e Bujqësisë ka krijuar edhe sistemin modern të menaxhimit të kadastrit të vreshtave dhe industrisë së verërave dhe përmes tij tashmë mund të identifikohen të gjitha parcelat dhe vreshtarët dhe në të janë të përfshira të gjitha të dhënat e tyre në mënyrë të detajuar.

Përvec kësaj, ai ka thënë se edhe në këtë vit Ministria e Bujqësisë është duke e përkrahur ngritjen e sipërfaqeve të reja me hardhi të rrushit të tryezës.

“Ne edhe këtë vit jemi duke e përkrahur ngritjen e sipërfaqeve të reja me hardhi të rrushit të tryezës, si dhe jemi duke investuar përsëri në modernizimin e pajisjeve dhe në infrastrukturën përcjellëse, p.sh. në sisteme mbajtëse të vreshtit, në pajisje për spërkatje të vreshtave, në atomizerë bartës, në mekanizëm për plehërim, në sistemin e mbrojtjes nga breshri dhe kjo përkrahje çdoherë e më shumë, në secilin vit është duke u rritur”, ka thënë ministri Stavileci.

Ai shtoi me tutje se me projektet që kanë përfunduar në vitin 2011, të cilat janë përkrahur nga Ministria e Bujqësisë, janë ngritur gjithsej 112 hektarë sipërfaqe të reja me vreshta, si dhe 128 hektarëve të tjerë me vreshta ekzistuese ju është rregulluar infrastruktura përcjellëse.

Ai ka treguar se edhe eksporti i verës është rritur dukshëm në vitin e kaluar, ngase në vitin 2010 janë eksportuar rreth 2.4 milionë litra verë, ndërsa në vitin 2011 janë eksportuar rreth 4 milionë litra.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, duke treguar për vlerat shëndetësore që i ka vera, ka thënë se prodhimtaria e këtij produkti ka një traditë të lashtë. Sipas tij, ky sektor është shumë i rëndësishëm, pasi në mënyrë zinxhirore punëson rreth pesë mijë persona. Ndër të tjera, ai ka treguar se tregtarët kosovarë tashmë janë duke i promovuar produktet e tyre edhe jashtë vendit.

“Është e vërtetë se tregtarët kosovarë janë duke bërë çmos që jo vetëm në tregun vendorë, por edhe në të jashtëm të promovojnë vlerat e produkteve dhe përmes vlerës të promovohet kultura dhe civilizimi në vendin tonë”, ka thënë Gërxhaliu.

Sektori privat, sipas kreut të OEK-ut, ka shumë nevojë për mbështetje dhe në të ardhmen duhet të ngritet edhe më tej kualiteti i produkteve, i cili sipas tij është edhe parakusht i përmbushjes së kritereve dhe standardeve evropiane.

Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tregoi se kultivimi i hardhisë së rrushit është njëra prej veçorive kryesore, që i identifikon banorët e komunës së Rahovecit. Ai tha se pavarësisht problemeve që kanë pasur banorët e kësaj ane, përkrahja institucionale ka bërë që ata të mos e lënë anash këtë sektor.

Aktualisht në Republikën e Kosovës operojnë 14 kompani të licencuara nga MBPZHR-ja, që merren me përpunimin e rrushit dhe produkteve tjera nga rrushi dhe vera.

Ato janë, Stone Castle Vinezard&Winerz, Haxhijaha, Muja, Rahoveci, Dea, Biopak, Agro-alf, Rahvera, Daka, Boemi, Bahha, Agrokosova, Sefa dhe Jido. Po ashtu në Kosovë operojnë edhe 33 kompani që realizojnë importin e verës dhe produkteve tjera nga rrushi dhe vera. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)