Sot nis konferenca për të ardhmen e bujqësisë kosovare
Prishtinë, 14 qershor - Nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural sot do të nis konferenca dyditore E ardhmja e bujqësisë kosovare në perspektivën e zhvillimit ekonomik.
Kjo konferencë ka për qëllim që ti grumbullojë të gjithë aktorët e fushës së bujqësisë, për ti trajtuar problemet dhe për ti shqyrtuar së bashku mundësitë për tejkalimin e tyre. Po ashtu, disa prej kompanive agropërpunuese, në hapësirën e sallës do ti ekspozojnë edhe prodhimet e tyre vendore.
Të pranishëm në këtë konferencë do të jenë: Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Blerand Stavileci, përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë Ranjit Nayak, u.d. Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë znj. Azza El Abd, u.d. Kryesuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun SINNO, si dhe palë tjera me interes.
Në ditën e parë të konferencës do të mbahet edhe tryezë e rrumbullakët me profesionistë dhe palë tjera të përfshira në sektorin e drithërave, hortikulturës dhe blegtorisë, ku do të jepen edhe rekomandime për hapat e mëtutjeshëm që mund të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.