Sot mbahet takimi për zhvillimin rural në Evropën Juglindore
Prishtinë, 6 prill - Sot në Prevallë të komunës së Prizrenit për herë të parë do të fillojë takimi i 20-të i Komitetit të Grupeve Punuese Rajonale për Zhvillim Rural në Evropën Juglindore.
Çështjet kryesore që do të diskutohen janë: Vendimet lidhur me punën e Komitetit të Grupeve Punuese; Raporti mbi aktivitetet e realizuara në kuadër të komitetit për periudhën dhjetor 2010 mars 2011; Diskutimi dhe planifikimi i aktiviteteve për periudhën e ardhshme; Bashkëpunimi me organizata të tjera ndërkombëtare, etj.
Ky komitet është i përbërë nga institucionet qeveritare përgjegjëse për zhvillimin rural në vendet e Evropës Juglindore dhe nëpërmjet rrjeteve të përhershme të bashkëpunimit në mes të gjithë aktorëve, synon ta fuqizojë zhvillimin rural në rajon.
Po ashtu, komiteti vepron si agjension i pavarur në bashkërendimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe shërben si lehtësues në procesin e forcimit të institucioneve rajonale, për mbështetjen e zhvillimit afatgjatë në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.