Sot diskutohet rreth planeve për pasurimin e miellit
Prishtinë, 22 qershor - Në Prishtinë sot do të organizohet takim pune për të diskutuar rreth planeve për pasurimin e miellit.
Ky takim është organizuar nga Grupi për Çrregullimet nga Pamjaftueshmëria e Jodit dhe Mikronutrientëve dhe nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
Qëllimi kryesor i këtij takimi është të diskutohet për përmirësimin e gjendjes nutritive (ushqyese) dhe shëndetësore përmes intervenimeve, siç është pasurimi i miellit me acid folik dhe hekur, etj.
Në këtë takim do të marrin pjesë: Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Blerand Stavileci, Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, anëtarë nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, anëtarë nga Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Shoqata e Mullisëve të Kosovës, OJQ Konsumatori, etj.
Po ashtu, në po të njëjtën ditë, ministri i MBPZHR-së z. Blerand Stavileci, në orën 12:00 do të merr pjesë edhe në takimin e organizuar në restaurantin Long Beach në fshatin Ranillug të komunës së Dardanës.
Në këtë takim që është organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike Kosovë (PEP-K), i cili financohet nga BE-ja dhe menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, do të diskutohet rreth politikave të bujqësisë për komunitetin serb në Kosovë dhe përveç ministrit Stavileci, pjesëmarrës do të jenë edhe kryetarët dhe drejtorët e bujqësisë së gjitha komunave me shumicë serbe.