Skënderaj bëhet me pikë përpunuese të frutave të imëta
Skenderaj, 23 nëntor - Në fshatin Klinë e Epërme e komunës së Skënderajt, sot i promovua Pika Përpunuese e Frutave të Imëta, e cila ishte një nga katër komponentët e projektit Promovimi i bujqësisë hortikulturës, blegtorisë dhe përpunimit të frutave në rajonin e Mitrovicës.
Ky projekt është pjesë e iniciativës së EURED-it në Kosovë (zhvillimi ekonomik rajonal i BE-së) dhe si objektivë kryesore ka arritjen e standardeve të BE-së në sektorin e bujqësisë për rajonin e veriut të Kosovës.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, shprehu mirënjohje për kontributin e Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë dhe përkrahjen e saj për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Projektet e kësaj natyre, të cilat krijojnë një lidhje të fuqishme në mes të prodhimit dhe përpunimit, pastaj një lidhje të shkëlqyeshme edhe në mes të fermerëve që i sjellin produktet e tyre në këtë vend dhe të tjerëve, në veçanti grave punëtore këtu që në numër janë mjaft shumë, të cilat me shumë zell e bëjnë përpunimin e këtyre pemëve dhe perimeve në mënyrën më të mirë të mundshme, duke respektuar të gjitha standardet, janë shembulli më i mirë i angazhimit dhe suksesit të përbashkët në rrugën tonë drejt zhvillimit të sektorit të bujqësisë, tha Stavileci.
Christof Stock nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Prishtinë tha se ky nuk është shembull i mirë vetëm për promovimin e bujqësisë dhe bizneseve të vogla, por edhe për punësimin.
Ky aktivitet do të ndikojë shumë në promovimin e produkteve bujqësore në këtë regjion, por edhe në rritjen e punësimit këtu. Është kënaqësi të shohësh produkte kaq të shijshme dhe kualitative që përpunohen në Kosovë. Jemi të lumtur që fondet Bashkimit Evropian kanë ndihmuar në mënyrë efektive në zhvillimin e industrisë së përpunimit, tha Stock.
Ndërsa, Zenel Bunjaku, krytari i organizatës IADK, e cila është edhe implementuese e këtij projekti tregoi se kjo pikë përpunuese ka kapacitet të përpunimit prej 2 tonësh në ditë dhe kapacitet të pranimit të lëndës së parë, përkatësisht të frutave deri në 20 tonë.
Përmes donacioneve të Bashkimit Evropian dhe në bashkëfinancim me komunën e Skënderajt, Mitrovicës e Vushtrrisë, IADK është duke i implementuar 4 komponentët e këtij projekti bujqësor. Kjo pikë përpunuese e frutave është njëra nga këto komponente, kurse komponentet tjera të projektit janë një model ferme, një pemishte model dhe një serrë model përmes së cilave IADK synon të promovojë praktikat më të mira të farmingut sipas standardeve të Bashkimit Evropian, potencoi Bunjaku.
Në këtë pikë për përpunimin e frutave janë duke u trajnuar 45 gra të këtij regjioni, të cilat pastaj do të përgatisin rreth 18 lloje të produkteve të përpunuara për ti plasuar në treg.