Sivjet në Prishtinë do të mbillen rreth 400 mijë lule
Prishtinë, 10 prill - Në bazë të planifikimeve të Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, gjegjësisht Ndërmarrjes Publike Komunale Hortikultura, ka filluar zgjerimi dhe mirëmbajtja e sipërfaqeve gjelbëruese edhe për këtë pranverë.
Këtë vit, për herë të parë do të mbillen edhe gjashtë lloje të reja të luleve shumëvjeçare që do ti fisnikërojnë sipërfaqet gjelbëruese në qytetin e Prishtinës.
Në parkun tek lagjja Dodona, në një sipërfaqe prej 5 hektarëve do të mbillen rreth 20 mijë lule sezonale.
Në këtë park janë të angazhuar 18 punëtorë, të cilët përkujdesen si për mirëmbajtjen e këndit të lojërave për fëmijë, mirëmbajtjen e gjelbërimit ku nënkuptohet largimi i mbeturinave, ujitja e përhershme, kositja e barit,etj, tha Isak Rakovica, kryeshef i N.P.K Hortikultura.
Rakovica tha se Drejtoria e Shërbimeve Publike në tërë qytetin e Prishtinës i ka riaktivizuar pas shumë vitesh 17 puse, prej të cilëve do të ujiten sipërfaqet gjelbëruese për një mirëmbajtje më të mirë të hapësirave të gjelbra.
Njëkohësisht, në të gjitha hapësirat tek rrethrrotullimet e kryeqytetit do të mbillen tulipanë, ndërsa janë punësuar edhe 24 punëtorë me kontrata të përhershme, pasi që një prej qëllimeve kryesore të Komunës së Prishtinës mbetet krijimi i vendeve të reja të punës dhe fuqizimi i prodhimeve vendore.
Qëllimi i Komunës së Prishtinës që të gjitha fidanët dhe lulet të cilat mbillen në qytetin e Prishtinës, të jenë prodhime vendore që prodhohen në lulishten e ndërmarrjes Hortikultura, me synim të rritjes së numrit të punëtorëve.
Nga lulishtet e ndërmarrjes Hortikultura do të prodhohen rreth 400 mijë lule në 3.000 m2 sipërfaqe të cilat i posedon kjo ndërmarrje komunale.