Sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë është 420 141.05 hektarë
Prishtinë, 26 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) për vitin 2019. Në Kosovë, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore sipas publikimit te ASK-së është 420 141.05 hektarë
Ky publikim ofron të dhëna për shfrytëzimin e tokës bujqësore, kulturat bujqësore, blegtorinë dhe produktet blegtorale, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet), fuqinë punëtore në bujqësi dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.
Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se në Kosovë sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 141.05 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët).
Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, pjesa më e madhe u përket: livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) me 51.9%; tokës së punueshme, ku arat marrin pjesë me 44.8%; kulturat shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanët) me 3.0%; dhe kopshtet me 0.3%.
Nga gjithsej tokë e punueshme – ara (188 364.69 ha), pjesa më e madhe është me drithëra 124 198.96 ha (65.9%); bimë foragjere me 37 496.72 ha (19.9%); perime gjithsej (në fushë të hapur, në serra dhe kopshte) janë 9 958.80 ha, prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra janë 8 836.68 ha (4.7%); patate 3 688.19 ha (2.0 %); bishtajore 2 997.00 ha (1.6%); bimë industriale 401.92 ha (0.2%); kultura të tjera 2 580.42 ha (1.4%) dhe tokë djerrinë 8 164.80 ha (4.3%).
Sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës, është 31 899.99 ha. Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide ishte 19 050.93 ha.
Sipas rezultateve të AEB 2019, numri i gjedheve ishte 257 733 krerë; i deleve ishte 189 102 krerë; i dhive ishte 27 197 krerë; i derrave ishte 40 538 krerë; i njëthundrakëve (kuaj, mushka, gomarë) ishte 2 037 krerë; i shpezëve (pula, qura, rosa dhe pata) ishte 2 665 262 krerë; dhe gjithsej numri i koshereve të bletëve ishte 219 831.
Përmes Anketës së Ekonomive Bujqësore janë grumbulluar të dhëna rreth punës në bujqësi, varësisht nga angazhimi i tyre në prodhim, me orar të plotë, të pjesshëm (herë pas here).
Sipas AEB 2019, numri i përgjithshëm i personave të angazhuar në bujqësi në Kosovë ishte 270 181 persona.
Kontributi i përgjithshëm i tyre në punën bujqësore ishte 82 656.98 Njësi të Punës Vjetore (NjPV) (ku 1 NjPV është e barabartë me 1 800 orë pune në vit /225 ditë pune/ nga tetë orë në ditë).
Metodologjia dhe standardet e aplikuara në AEB 2019 (përkufizimet – definicionet, pyetësori, dhe udhëzuesi) janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.