Sindikalistët: Ministria e Bujqësisë po i kushtëzon subvencionet
Prishtinë, 24 tetor - Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës e ka akuzuar Ministrinë e Bujqësisë se po jep premtime të rreme duke u premtuar bujqve për shumë subvencione, të cilat sipas kësaj federate, janë premtime të çastit të cilat më pas as që nuk i shohin.
Këto komente i bëri të hënën kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, i cili akuzoi Ministrinë e Bujqësisë se edhe ato pak subvencione që po ia japin fermerëve, po i kushtëzojnë me kushte prej më të ndryshmeve, te cilët edhe ashtu kanë shumë probleme kadastrale që prej ish-sistemit komuniste e deri në ditet e sotme.
Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë jep arsyet e saj për zbatimin e disa kritereve, të cilat FSBK-ja po i kundërshton, duke thënë se arsyeja që subvencionet nuk jepen para mbjelljes, sepse do të mundësonte keqpërdorimin e këtyre subvencioneve, sepse, sipas kësaj ministrie, gjatë inspektimeve në vitin e kaluar janë gjetur rreth 30 për qind e sipërfaqeve, të cilat nuk i kanë përmbushur kushtet për të marrë subvencione.
Mirëpo, sipas Kryetarit të Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahirit, bujqit nuk u besojnë premtimeve të qeverisë e as të Ministrisë së Bujqësisë, duke thënë se bujqit janë ngopur me premtimet e tyre dhe një ditë durimit të tyre do ti vijë fundi.
Ai tha se ata janë shumë të zhgënjyer, ngase për mbjelljen e arave të tyre, ata po llogarisin në subvencionet e qeverisë, konkretisht të Ministrisë së Bujqësisë, të cilat, sipas tij, po u premtohet bujqve nëpër panaire të ndryshme dhe më pas nuk realizohen ato, e qeveritarët dalin e thonë se keni durim se do të vijnë ditë më të mira.
Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kohë më parë pati marrë vendim që të subvencionohen bujqit kosovarë me farëra më të lira, plehun më të lirë, kush ka mbi dy hektarë të mbjellur, si dhe gjatë sesonit të korrje-shirjeve, kombajnerët të subvencionohen me naftë më të lirë, subvencione këto që për Federatën Sindikale janë të papranushme.