Siguria e ushqimeve sipas standardeve evropiane
Prishtinë, 5 maj - Një delegacion i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, i prirë nga z. Luciano Calestini, dhe i shoqëruar nga z. Shaip Muja, këshilltar i Kryeministrit në Qeverinë e Kosovës, kanë qëndruar sot për vizitë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Delegacioni është pritur nga ministri Blerand Stavileci dhe zv.ministri Sylë Sylani.
Temë qendrore e këtij takim ka qenë hartimi i Ligjit për sigurinë e ushqimit , që ka të bëjë me pasurimin e miellit me acid folik dhe sigurinë e prodhimeve të tjera ushqimore sipas standardeve evropiane.
Përfaqësues të UNICEF-it kanë folur për rëndësinë e madhe që ka siguria e ushqimit për shëndetin e popullatës në përgjithësi, me theks të veçantë për fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Më pas UNICEF-i ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndihmuar Ministrinë e Bujqësisë në fushatën senzibilizuese të opinionit për vetëdijesimin e konsumatorëve që të konsumojnë ushqim të sigurt dhe kualitativ, por ka siguruar edhe një sasi mjetesh për nevojat e tjera, në mënyrë që të plotësohen kërkesat për sigurinë e ushqimit sipas standardeve të BE-së.
Ministri Blerand Stavileci ka falënderuar UNICEF-in për kontributin substancial që po e jep në këtë fushëveprimtari shumë të rëndësishme për shëndetin e njeriu.
Ai ka shprehur gatishmërinë që të thellojë bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me UNICEF-in dhe, ka thënë Stavileci, sigurisht se MBPZHR-ja do të luaj një rol shumë aktiv në këtë drejtim.
Po ashtu, ka nënvizuar ai, sa i përket aseteve financiare që kërkohen për implementimin e këtij projekti, ne do të bëjmë koordinim ndërministror me MEF-in e MSH-në, në mënyrë që të realizohen të gjitha premisat që janë paraparë me projekt.