Siguria dhe cilësia e ushqimit garanci për treg më të sigurt
Prishtinë, 28 mars - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), organizuan sot konferencë me temën Standardet e sigurisë dhe cilësisë ushqimore dhe bujqësisë organike.
Në këtë konferencë morën Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, drejtoresha e BERZH-it për Kosovë, Elena Petrovska, fermerë, agrobiznese, shoqata të fermerëve dhe ekspertë të certifikimeve.
Ministri Memli Krasniqi tha se një element shumë i rëndësishëm që produktet të gjejnë tregun në Kosovë, por edhe jashtë vendit është cilësia e produktit dhe siguria.
Kjo nuk do të thotë se në Kosovë nuk kemi produkte cilësore dhe të sigurta. Unë personalisht kam një besim të madh në produktet tona dhe jam një konsumues pa hezitim i shumë prej tyre. Gjithsesi, mendoj se është evidente që ka nevojë për rritje të cilësisë dhe sigurisë.\"
\"Kjo më pas do të rriste besimin tek konsumatori ynë në radhë të parë dhe më pas ai evropian, për çka tash kemi edhe hapje të tregut, pas nënshkrimit në Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, tha ministri.
Gjithashtu, ai tha se siguria e ushqimit dhe cilësia është prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe prodhuesit dhe përpunuesit do të kenë mbështetje në këtë drejtim.
Ministri përmendi se MBPZHR-ja jep përkrahje përmes granteve për agor-bizneset që aplikojnë për certifikime të njohura ndërkombëtare, sa i përket cilësisë së ushqimit.
Ministri po ashtu theksoi se certifikimi është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të shihet si një barrë financiare në këtë rast për fermat apo bizneset, por duhet të shihet si një avancim i tyre.
Drejtoresha e BERZH-it në Kosovë, Elena Petrovska, theksoi rëndësinë e bujqësisë në ekonominë e Kosovës, që sipas saj sektori i bujqësisë siguron numrin më të madh të punësimit në sektorin privat.
Ajo theksoi se përmes bashkëpunimit me MBPZHR-në synojnë të rrisin vetëdijesimin për sigurinë ushqimore.
Me anë të kësaj konference kërkohet vetëdijesimi i popullatës për rëndësinë e cilësisë së ushqimit. Qëllimi ynë është që të ju bëjmë më të vetëdijshëm se Bujqësia Organike është mjaftë e rëndësishme. Bujqësia luan një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë dhe popullata duhet të vetëdijesohet për efektet e ushqimit, ka thënë ajo.
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, tha se standardet e sigurisë ushqimore janë kriter të cilat duhet plotësuar secili nga operatorët e biznesit ushqimor.
Nga ana tjetër, Mark Wood nga projekti AGRO i USAID, tha se bashkë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë nisur tash një projekt për certifikimin me Global Gap të qindra fermave të mjedrave.
Siguria ushqimore, certifikimet zyrtare ndërkombëtare, tha ai, janë një siguri edhe për vet prodhuesit e përpunuesit se do të kenë treg të qëndrueshëm por edhe rritje të tij.