22 Dhjetor 2024

Shumëfishohen kapacitetet përpunuese të "KABI"-it

Prishtinë, 26 prill - Rritja e kapaciteteve për përpunimin e qumështit për 3000 litra në ditë, tri makina paketuese automatike, zgjerimi i rrjetit të prodhuesve të qumështit me 150 fermerë të rinj, përkrahja e 58 fermerëve me makineri mjelëse, shtimi i jetëgjatësisë së produkteve prej 4 ditë në 3 javë dhe rritja e shitjes përreth 30% janë vetëm disa prej rezultateve të arritura të projektit të fabrikës së qumështit “KABI”, teknologjia e re e të cilës është përuruar sot në objektin e kësaj fabrike, në fshatin Kmetoc të Gjilanit.

“Inkurajimi i fermerëve të vegjël dhe të mëdhenj për bashkëpunim me njëri-tjetrin, sigurimi i teknologjisë moderne në agropërpunim, zhvillimi i marketingut dhe përmirësimi i kualitetit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, sipas standardit HACCP, kanë qenë synimi kryesor i këtij projekti”, tha ministri Stavileci në promovimin e teknologjisë se re agropërpunuese të “KABI”-it, i cili përpos që ka zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit me fermerë, ka organizuar edhe trajnime për rritjen e sasisë dhe ngritjen e cilësisë së qumështit.

“Sot shohim efektet e para të këtij projekti madhështor, që më së miri e tregon rëndësinë e zinxhirit të vlerës në të gjitha hallkat e prodhimit, prej prodhuesve deri te përpunuesit dhe si terminal i fundit edhe konsumatorët”, potencoi Stavileci.

Promovimi i standardeve të larta të ushqimit dhe përvetësimi i tyre ndikon edhe në zgjerimin e tregjeve tha përfaqësuesi i KE-së, Melvin Asin. “Kjo është një komponentë që përmirëson lidhjen mes fermerëve dhe rrit kapacitetet e tyre. Unë besoj se përmes këtyre granteve ne mund t’i shfrytëzojmë më shumë resurset bujqësore dhe po ashtu t’ju ndihmojmë fermerëve që të implementojnë planet e tyre bujqësore dhe zhvillimore”, deklaroi Asin.

Në anën tjetër, pronari i fabrikës së qumështit “KABI”, Nehat Bixhaku, tregoi se kanë filluar me makineri që nuk ka pasur kapacitete më shumë se 150 litra në ditë, ndërsa tani janë fabrika më e madhe e qumështit në tërë anamoravën.

“Bashkë me zbatuesit e projektit kemi arritur të rrisim cilësinë dhe sasinë në përpunim të qumështit. Arritëm të rrisim edhe numrin e fermerëve dhe bashkëpunëtorëve të cilët janë përkrahur direkt me trajnime dhe pajisje të makinave mjelëse. Kjo përkrahje për fermerë ka për qëllim stimulimin e rritjes së fondit blegtoral në anamoravë dhe bashkëpunimi ynë do të rritet edhe më shumë viteve të ardhshme”, tha Bixhaku.

Projekti është përkrahur me 354 mijë euro nga skema e granteve rurale të BE-së dhe kohëzgjatja e tij ka qenë 18 muaj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)