Shukri Fetahu merr çmim për inovacione për kultivarin e grurit vendor
Prishtinë, 15 nëntor - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot i ka ndarë Çmimin për Inovacione, Kërkime dhe Zhvillim, profesorit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Shukri Fetahu, për inovacionin e tij shkencor në prodhimin e kultivarit vendor të grurit Dardania 1.
Presidenti ka thënë se prodhimi i ushqimit është sfidë e nivelit botëror, por ne me shkencëtarë si profesori Fetahu, që gjithnjë janë në kërkim të mundësive të reja për tejkalimin e sfidave, gjithçka mund ta përballojmë me lehtë.
Ndarja e çmimit për inovacione, kërkime dhe zhvillim për profesorin Fetahu është një vlerësim për punën e tij të gjatë shkencore në krijimin e kultivarit të parë vendor të grurit, i cili është shumë i përshtatshëm për kushtet tona klimatike, ka kapacitete të larta prodhuese dhe ka vlera të shumta ushqyese, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërsa, profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Shukri Fetahu, ka thënë se në çmimin e ndarë nga presidenti e sheh vullnetin e tij për promovimin e vlerës së inovacioneve dhe respektimin e arritjeve shkencore.
Sipas profesorit Fetahu, ky respekt është kulturë dhe përkujdesje institucionale, por edhe gatishmëri për avancimin e prodhimit të ushqimit vendor, në funksion të zvogëlimit të importit të grurit.
Ju sot me këtë akt nderuat studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë së Universitetit të Prishtinës, ekipin hulumtues për punën dhe sakrificën shumëvjeçare për ta realizuar inovacionin e parë në kuadër të shkencave bujqësore në Kosovë, ka thënë profesori Fetahu.
Presidenti Thaçi shtoi se vendi ynë ka fermerë shumë të vyeshëm dhe kur puna e dija bëhen bashkë, atëherë gjithsesi që edhe rezultatet në bujqësi janë më të larta.
Kultivari vendor besoj se do ti përmbush edhe pritjet e kultivuesve të grurit për rendimente më të larta dhe më cilësore, përfundoi presidenti Thaçi.