22 Dhjetor 2024

Shteti do të jetë pranë prodhuesve që paguajnë tatimet

Prishtinë, 19 maj - Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi vizitat e prodhuesve vendorë. Sot, ai bashkë me zv. ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Iliri Aliu dhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka vizitoi qumështoren “Sharri” dhe fabrikën e kabllove dhe përçuesve elektrikë “Proton Cable”, në Prizren.

Në qumështoren “Sharri”, Kryeministri në detyrë u prit nga pronari i saj, Veli Halimi, ku u njoftua për historikun e 20- vjeçar të kësaj qumështoreje, planet për investime në të ardhmen, por edhe për sfidat me të cilat është përballur gjatë këtyre viteve.

Kurti ka theksuar se qumështorja “Sharri” paraqet tregim suksesi të prodhuesit vendor, i cili, në këtë rast, për tashmë dy dekada i ka ofruar konsumatorëve produkte cilësore dhe të shëndetshme.

"Ndonëse industria e qumështit është prekur nga pandemia COVID-19, kjo qumështore, më vullnet dhe vetëdije të plotë, nuk ka shfrytëzuar fare masat ndihmëse nga Pakoja Fiskale Emergjente duke e përballuar vetë barrën e shkaktuar nga pandemia", ka pohuar ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se shteti i Kosovës duhet të jetë pranë këtyre prodhuesve të cilët paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit dhe nuk marrin prej tij edhe atëherë kur e kanë atë të drejtë.   

Pastaj, Kryeministri në detyrë bashkë me shoqëruesit e njëjtë vizituan fabrikën “Proton Cable”.

Aty u pritën nga pronari i kësaj fabrike, Fatos Dida, i cili i shoqëroi dhe i njoftoi mbi produktet dhe zinxhirin prodhues. Kabllot dhe përçuesit elektrikë të tensionit të ulët të prodhuara në “Proton Cable” i nënshtrohen kontrolleve laserike dhe me testues shkëndije me tension të lartë, me qëllim që cilësia e tyre të jetë e lartë.

Për më tepër, kjo fabrikë tashmë është në fazën testuese të prodhimit të telit të bakrit, që do t’i bënte prodhuesit e parë të telit të bakrit në trojet shqiptare.

Kryeministri në detyrë gjatë këtyre vizitave dhe takimeve me pronarët e këtyre dy fabrikave shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar prodhuesit vendorë.

Ai foli për nevojën e menjëhershme të bashkëpunimit tregtar mes institucioneve dhe ndërmarrjeve publike dhe prodhuesve vendorë, dhe vëmendjen që pakoja për rimëkëmbjen ekonomike do ta ketë për ta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)