Shqipëria rrit buxhetin për bujqësinë me 55 për qind
Tiranë, 8 nëntor - Qeveria e Shqipërisë në janar do të nisë mbështetjen financiare më të madhe, për fermerët dhe prodhimin bujqësor.
Buxheti në mbështetje të bujqësi për vitin 2018 do të rritet me 55%, duke shkuar në 2.6 miliard lekë, nga 1.7 miliard lekë që ishte për këtë vit.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi, gjatë prezantimit të martën të projekt-buxhetit, në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, tha se kjo pjesë e buxhetit do të shpenzohet në 5 drejtime kryesore.
Duke u ndalur te siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit, si një prej sektorëve prioritarë ministri Peleshi theksoi se, buxheti është rritur me 270 milion lekë.
Sipas tij, mbështetja adresuar fermerëve do të shkojë drejtëpërdrejtë në rritjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe agropërpunimit vendas.
Në total projekt-buxheti i vitit 2018 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është rritur me 15%, në krahasim me vitin 2017, ndërsa në total kap vlerën e 10.9 miliard lekëve.