Shqipëria në vendin e 26-të në Evropë për prodhimin e patates
Tiranë, 28 mars - Statistikat e Bashkimit Evropian (BE) e kanë renditur Shqipërinë në vendin e 26-të në Evropë për prodhimin e patates, duke lënë prapa Maqedoninë, Kosovën, dhe Malin e Zi.
Në Shqipëri prodhimi i patates llogaritet në rreth 245 mijë ton në vit. Në krahasim me rajonin, Shqipëria lë pas Maqedoninë, Kosovën, dhe Malin e Zi, duke u renditur në vendin e 26-të në Evropë, ndër 37 shtete të marra në analizë nga Eurostat sa i përket prodhimit të patates.
Sipas specialistëve të fushës, në Shqipëri, patatja ka filluar të kultivohet mbas vitit 1850. Fermerët e Shishtavecit në veri të vendit, por edhe ato në qarkun e Korçës, (juglindje) vijojnë të kryesojnë me kultivarët kryesorë, të patates në Shqipëri.
Sot, patatja është një ndër artikujt kryesorë të çdo kuzhinë botërore, e përdoret si ushqim në shumë forma.
Statistikat e Bashkimit Evropian (BE) evidentojnë se në nivel evropian, Gjermania mban vendin e parë me 10 milionë ton prodhim në vit, duke zënë 19% të totalit të prodhimit të vendeve të BE-së. Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia ndërkohë prodhojnë 351 dhe 639.mijë tonë patate në vit.
Ndërsa në total në vendet e Bashkimit Evropian prodhohen 53 milionë ton patate në vit, shifër kjo në rënie krahasuar me vitet më parë, bën të ditur Eurostat.
Sot prodhimi i bollshëm bujqësor vendas dhe veçanërisht i patates, është mjaft i kërkuar edhe në tregjet e huaja.
Ekspertet shpjegojnë lidhur me eksportet e patates se, Bashkimi Evropian nuk i ka vënë asnjë pengesë Shqipërisë në eksportin e saj në tregjet evropiane por Shqipëria duhet të japë garanci për sigurinë e këtij produkti nëpërmjet analizave të certifikuara, pasi patatja është mbartëse e një sërë sëmundjeve, duke qenë se kultivohet në tokë dhe për këtë, kërkohen monitorime të vazhdueshme.
Njohja e statusit pa sëmundje lidhet me kapacitetin e organizatave kombëtare për mbrojtjen e bimëve për të zbatuar çdo standard dhe procedurë ndërkombëtare të rekomanduar për masat fitosanitare përfshirë mbikëqyrjen, analizat e riskut, inspektimin, raportimin dhe informacionin. Pasi organet kombëtare të vendit të japin siguri të plotë se sëmundja nuk ekziston vendi mund të njihet si i lirë për eksport, shprehen ekspertet.