Shqipëria eksporton 1.7 miliard lekë produkte agroushqimore
Tiranë, 18 korrik - Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë bën të ditur se për 3-mujorin e parë të të vitit, janë eksportuar produkte agroushqimore që arrijnë në vlerën e 1.7 miliard lekëve, nga 1.5 miliard lekë që janë siguruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave eksportin më të lartë e shënon produkti i qumështit, i cili është dy fishuar, si në sasi ashtu edhe në vlerë monetare.
Nga 73 ton që janë tregtuar një vit më parë, këtë 3-mujor janë eksportuar 189 ton me një vlerë prej 15.2 milion lekësh.
Ky shtim prodhimi ka ardhur edhe si pasojë e përqendrimit të fermerëve në mbarështimin e bagëtive që prodhojnë qumësht.
Ndërsa eksporti i djathit edhe pse ka nisur këtë 3-mujor, duke qenë se më parë nuk tregtohej asnjë ton, sërish është në nivele shumë të ulta duke marrë parasysh se Shqipëria është një vend bujqësor.
Vaji i lulediellit është një tjetër produkt që është dyfishuar në eksport, nga 291 në 412 ton, duke arritur një vlerë të ardhurash prej 48.2 milion lekësh.
Rritje të eksportit për 3 mujorin e parë të vitit kanë shënuar edhe makaronat, buka, perimet e konservuara, uji, birra, vera dhe duhani.