23 Dhjetor 2024

Shqipëria bllokon miellin e Kosovës

Shqipëria bllokon miellin e Kosovës
 
Prishtinë, 28 mars - Tash pesë ditë kamionë me miell të kompanisë M-Sillos janë të bllokuar në kufi, duke mos u lejuar të futen në Shqipëri.

Kjo bllokadë ka ardhur disa javë pas bllokadës që i ka bërë Kosova qumështit të Shqipërisë, për shkak të alfatoksinës.

Të njëjtin arsyetim është duke e bërë Shqipëria për miellin nga Kosova, duke mos e lejuar të futet nën arsyetimin se duhet bërë analizat. Por, pronarët e M-Sillosit bëjnë të ditur se tre herë me radhë iu kanë dërguar analizat për t’iu dëshmuar se gjithçka është në rregull.

“Iu kemi dërguar analizat që janë kryer si nga ne ashtu edhe nga AUVK, mirëpo nuk i kanë pranuar. Tre ditë i keni dërguar 3 palë analiza, tek të martën i kanë dërguar mostrat për analiza në Tiranë, tani edhe një javë nuk kthehen”, ka thënë drejtori gjeneral i M-Sillos-it, Gerald Vilflingseder.

Ai bënë të ditur se këto bllokada të paarsyeshme janë duke i shkaktuar humbje të mëdha kompanisë. Ai konsideron se arsyet e bllokadës janë politike, duke marrë parasysh se analizat i dëshmojnë se gjithçka është në rregull.

Autoritetet shqiptare kur e kanë parë se me analiza janë në rregull, ata tash kanë kërkuar që në secilin thes të vendosen edhe disa kode.

“Kjo është e pakuptimtë, ata i kanë kërkuar disa kode, ato kode nuk po përputhen me kode të Kosovës, por duhet t’ia vendosim kodet e Shqipërisë. Pastaj po i kërkojnë që secilin thes të kenë nga një numër “llok 20”, “llok 24” dhe “llok 30”, që nuk po përputhet në asnjë mënyrë me marrëveshjen Kosovë-Shqipëri”, ka thënë Vlflingseder.

Sipas tij, alfatoksinë nuk mund të ketë në miell. ”Mirëpo, kjo më shumë po duket si një bllokadë për arsye politike sesa për ndonjë arsye me bazë ligjore”, ka thënë ai.

Autoritetet doganore kosovare kanë thënë se kjo tashmë nuk është çështje e doganës, pasi që procedurat doganore të gjitha janë kryer dhe se arsyet janë tjera. “Mielli është ndalur për arsye të dyshimit për alfatoksinë, procedurat doganore janë përfunduar dhe kjo tashmë nuk është çështje e doganave. Mielli aktualisht është në Kukës, dhe për procedura të mëtutjeshme tash merren agjencitë përkatëse të ushqimit”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Për një bllokadë të tillë nuk është njoftuar ende Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. “Nuk jemi të njoftuar, nuk kemi asgjë zyrtare deri më tani”, ka thënë Arta Istrefi, këshilltare për media e ministres Mimoza Kusari-Lila.

Ndërsa zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, kanë thënë se që nga momenti që janë njoftuar për një bllokadë të tillë, ata kanë filluar me bërjen e analizave dhe më pas t’ua bashkëngjesin lëndëve të eksportit. Zëdhënësi i AUVK, Lamir Thaçi ka thënë se është e drejtë e autoriteteve të Shqipërisë, që të dokumente në rast se kanë dyshime të tilla.

“Kjo masë është politikë e tyre e kontrollit të cilën ata besoi se e kanë arsyetuar. Është e drejtë e tyre që në kohë të caktuar për produkte të caktuara të kërkojnë dokumente apo rezultatet laboratorike për parametra të caktuar”, ka thënë Thaçi. Sa i përket asaj se pse AUVK nuk i pajis me dokumente të analizave kompanive që iu nënshtrohen analizave të tilla, Thaçi ka thënë se analizat që kërkojnë AUVK për import të grurit në Kosovë janë të ndryshme nga analizat që kërkojnë Shqipëria. “Dokumente të tilla nuk na janë kërkuar deri më sot nga asnjë autoritet tjetër, ne jemi duke vazhduar të punojmë sipas kërkesave të vendeve importuese”, ka thënë ai.

Sasia e miellit që eksportohet në Shqipëri çdo muaj nga kjo kompani sipas tyre është afër 2 mijë ton. Ndryshe Kosova para disa ditësh, bllokoi qumështin nga ky shtet për arsye të aflatoksinës. Autoritetet nga Shqipëria e quajtën politike një bllokim të tillë.

Një sasi e konsiderueshme qumështi shqiptar nuk është lejuar të futet në territorin e Kosovës, autoritetet doganore të së cilës e kanë kthyer mbrapsht dhe pikërisht në doganën e Durrësit ku janë kryer dhe procedurat e eksportit të saj, raporton Top Channel. Drejtues të doganës bënë të ditur se sasia e qumështit, sipas palës kosovare, nuk ka qenë e pajisur me fletë-analizat e nevojshme dhe konkretisht me certifikatën e aflatoksinës në këtë produkt.

Pas kthimit, sipas kryedoganierit të Durrësit, do të jenë autoritetet përkatëse që do të vendosin për asgjesimin ose jo të sasisë prej 23 tonësh të qumështit prodhim shqiptar.

Ndërkohë, pas skandalit mbi praninë e lartë të substancës së dëmshme të aflatoksinës në qumësht, Ministria e Bujqësisë mësohet se ka nxjerrë një urdhër që detyron të gjithë importuesit e qumështit dhe nënprodukteve të tij të kenë pjesë të dokumentacionit edhe certifikatën e aflatoksinës, prania e së cilës në nivele të larta njihet si shkaktar i sëmundjeve të rënda në organizmin e njeriut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)