Shqipëri, ndalohet shfrytëzimi i pyjeve
Tiranë, 12 janar - Shqipëria ka humbur rreth 20 për qind të fondit pyjor nga prerjet pa asnjë kujdes. Qeveria vendosi ndalimin për 10 vjet të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime tregtare dhe industriale.
Moratoriumi pritet të miratohet nga parlamenti si një masë e domosdoshme për mbrojtjen e natyrës nga erozioni dhe dëmtimet e rënda në mjedis.
Qeveria shqiptare vendosi sot të ndalojë plotësisht shfrytëzimin e pyjeve për një periudhë dhjetëvjecare në përpjekje për të ndalur shkatërrimin e tyre.
Pyjet e larta kanë pësuar dëme të rënda të paprasueshme nga firma që kanë nuk kanë patr leje shfrytëzimi dhe as specialistë për të hartuar projekte profesionale.
Krahas njerëzve me veprimtari të paligjshme pyjet janë dëmtuar nga zjarret, erozioni, zhdukja e kafshëve dhe bimësisë.
Kryeministri, Edi Rama, e cilësoi moratoriumin 10-vjeçar mbi pyjet si një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e tyre nga shkatërrimi i mëtejshëm i tyre.
Shkatërrimi i pyjeve, shkatërrimi i lumenjve, i shtretërve të lumenjve, shfrytëzimi barbar për lëndë drusore, për lëndë ndërtimi, si dhe shkatërrimi i të gjithë infrastrukturës mbrojtëse, pritave, argjinaturave, kanaleve kullues, na ka sjellë vit pas viti në buzë të një humnere, që ne prej dy vitesh kemi marrë masa për ta shmangur - tha zoti Rama
Moratoriumi që ndalon prerjen e pyjeve pritet të shqyrtohet në sesionin e ri të parlamentit. Projektligji lejon prerjen e pyjeve vetëm për përdorim familjar nga banorë të zonës, por jo për tregti, industri dhe qëllime fitimi.
Zoti Rama tha se moratoriumi është një kërkesë që nuk mund të refuzohet, së bashku me ashpërsimin e dënimeve për krimin mjedisor.
Pyjet janë shkatërruar edhe për shkak të një aktiviteti kriminal, intensiv, të zhvilluar në ilegalitet dhe në bashkëpunim të plotë me struktura që duhet ti kishin mbrojtur pyjet në vite e vite të tëra. Edhe pse është larg së qeni një histori që ka mbaruar, historia e përpjekjeve të këtyre dy viteve të qeverisë sonë, përkatësisht ministrisë së Mjedisit dhe ministrit, është padyshim një premisë e rëndësishme për të qenë një histori suksesi - tha kryeministri Rama.
Moratoriumi 10-vjeçar për prerjen e pyjeve shoqërohet me Paketën e Ndëshkimit të Krimit Mjedisor.
Moratoriumi do të ndalojë nxjerrjen e zonave të reja për shfrytëzim tregtar për një periudhë 10 vjeçare, si dhe do të ndërpresë çdo kontratë ekzistuese.
Shfrytëzimi i pyjeve ka qenë 2-3 herë më i lartë se sa rritja vjetore natyrore e pyjeve.
Gjatë tranzicionit janë prerë dhe janë djegur 216 mijë hektarë pyje, në rang vendi ose 17% e totalit të fondit pyjor.
Në 2014-2015 u mbollën 2,5 milionë fidanë pyjorë në një sipërfaqe e pyllëzuar sa 80% e sipërfaqes së pyllëzuar nga 1990 - 2013.
Nga 1990 në 2013 ishin 2.670 hektarë dhe në vetëm dy vjet janë ripyllëzuar 2 mijë hektarë.
Janë prerë dhe djegur qëllimisht rreth 17% e fondit pyjor. Po në këto vite 2007 2013, qeveria dha lejen për ndërtimin e 435 hece-ve.
Këto hece shpyllëzuan sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe nuk patën asnjë marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit për rehabilitimin e tyre.
Në vetëm 2 vite qeverisje mbi 800 milionë lekë të reja u investuan për pyllëzime, rehabilitime të zonave të degraduara dhe mbrojtjen e pyjeve nga dëmtues biologjik.
Moratoriumi 10-vjeçar parashikon ndalimin absolut të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime fitimi, industriale, tregtare, për qëllime që shkojnë përtej nevojës jetike dhe imediate të banorëve të zonave të ndryshme për tu ngrohur gjatë dimrit.